Veliaj dhe Xoxa në GJKKO, pritet të njihen me masat e sigurisë
BKT
Shqipëri

Veliaj dhe Xoxa në GJKKO, pritet të njihen me masat e sigurisë

rtsh.al

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, ka dalë para trupës së GJKKO-së këtë të mërkurë për t’u njohur me masën e sigurisë. Veliaj, i arrestuar pas një hetimi të SPAK-ut, është përballur me akuzat për korrupsion dhe pastrim parash, dhe ka marrë masën "arrest me burg". Ai u mor në paraburgim nga makina e policisë, e cila e transportoi nga Blloku i Sigurisë te "Mine Peza" drejt Gjykatës së Posaçme.

Po ashtu, bashkëshortja e tij, Ajola Xoxa, u paraqit në GJKKO, ku është vendosur masa “arrest shtëpie” ndaj saj, e cila po akuzohet për korrupsion, pastrim parash dhe fshehje pasurie. Hetimet kanë zbuluar se ajo ka përdorur lidhjet me kompanitë dhe OJF-të për të përfituar fonde publike në mënyrë të paligjshme.

GJKKO pritet të vendosë gjithashtu për masat e sigurisë edhe për 6 biznesmenët e tjerë të përfshirë në këtë skemë, duke përfshirë Elman Abule, i cili ndodhet në "arrest me burg" për pastrim parash. Ndërsa për Gentian Sula, Meriman Palushi, Fatmir Bektashi, Sokol Kryeziu dhe Shkëlqim Fusha është caktuar masa “detyrim paraqitjeje” për akuzat e korrupsionit aktiv.

Gjatë vlerësimit të masës, anëtarë të PS u mblodhën para GJKKO në mbështetje të kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, duke shprehur solidaritetin e tyre dhe brohoritur në shenjë përkrahjeje.

Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, është arrestuar më 10 shkurt nga agjentët e BKH-së gjatë një operacioni në zyrat e tij në Bashkinë e Tiranës. Ai akuzohet për krijimin e një skeme korruptive përmes lidhjeve me kompani dhe OJF të drejtuara nga bashkëshortja e tij, Ajola Xoxa, dhe një grup biznesmenësh, përfshirë Elman Abule, Gentian Sula, Meriman Palushi, Fatmir Bektashi, Sokol Kryeziu dhe Shkëlqim Fusha.

Në momentin e arrestimit të Veliajt, Xoxa, e cila ndodhej në Itali, ishte njoftuar për masën "arrest shtëpie", e cila u vendos për të nga Gjykata e Posaçme. Ajo u arrestua menjëherë pas mbërritjes në aeroportin e Rinasit.

Hetimi i SPAK ka zbuluar se Veliaj dhe bashkëshortja e tij, përmes një rrjeti kompanish dhe OJF-sh, kanë përdorur fonde publike të Bashkisë Tiranë për interesat e tyre personale, duke përfituar më shumë se 1 milion euro. Po ashtu, është zbuluar se Ajola Xoxa ka bërë shpenzime luksoze, përfshirë veshje dhe bizhuteri me vlerë mbi 860 mijë euro, të cilat nuk i ka deklaruar.

Gjatë hetimit, SPAK ka sekuestruar një vilë prej 494 m2 në Qerret, të ndërtuar nga biznesmeni Gentian Sula, dy llogari bankare të Ajola Xoxës me vlerë 869,149 euro, dhe një sasi të konsiderueshme parash të gatshme.


MË SHUME NGA Shqipëri