Ndahet nga jeta në moshën 79-vjeçare diplomati Shaban Murati
RTSH
Është ndarë nga jeta në moshën 79-vjeçare ish-ambasadori shqiptar Shaban Murati.
Lajmi u bë me dije nga e vajza e tij mëngjesin e kësaj të premteje (14 shkurt), përmes një postimi në rrjetet sociale. Ceremonia mortore do të mbahet nesër.
I lindur më 2 shtator 1945, Murati ishte një figurë e spikatur në diplomacinë dhe publicistikën shqiptare, duke kontribuar ndjeshëm në zhvillimin e politikës së jashtme të vendit.
Gjatë karrierës së gjatë diplomatike, Murati shërbeu si ambasador i Shqipërisë në Maqedoninë e Veriut, Suedi, Norvegji, Finlandë dhe Islandë. Ai ishte gjithashtu drejtues i Akademisë Diplomatike të Republikës së Shqipërisë, duke luajtur një rol kyç në formimin e brezave të rinj të diplomatëve shqiptarë.
Ndër veprat e tij më të spikatura janë "Serbia kundër Serbisë: analizë e një gjysmërevolucioni të lënë përgjysmë" (2004), "Enigmat diplomatike të pavarësisë së Kosovës: fletë nga ditari i një ambasadori" (2007) dhe "Vetëvrasja diplomatike e Shqipërisë dhe Kosovës" (2021).
Begaj: Veprimtari i përhershëm që na drejtoi drejt së drejtës
Mbi lajmin e trishtë të ndarjes nga jeta të diplomatit Murati ka reaguar dhe Presidenti Bajram Begaj, i cili i ka përcjellë ngushëllime familjes së të ndjerit.
Ai ka rrëfyer dhe bisedat që ka zhvilluar me Muratin, duke i konsideruar si tejet të vyera për të.
“Me dhembje mësova lajmin për ndarjen nga jeta të intelektualit, diplomatit, historianit politik, njohësit të shkëlqyer të gjeopolitikës rajonale, mikut tim, Shaban Murati.
Çdo bisedë që zhvillova me të, çdo këshillë që më jepte, ishte e hapur, e drejtpërdrejtë dhe e vyer.
Shaban Murati, burri fisnik që atdheun e kishte të shenjtë dhe gjithmonë me vete, do të mbetet mes nesh si veprimtari i përhershëm që foli, shkroi dhe ndau dijen për të na orientuar në anën e të mirës dhe të drejtës në histori.
Shaban Murati iku i bekuar duke lënë pas, veç tre bijve, pasardhës të denjë të tij, edhe vepra të rralla për ne!
Shpirti t'u prehtë në paqe, i miri Shaban Murati!”, shkruan kreu i shtetit në rrjetin social Facebook.























