Ajola Xoxa: S’kam lidhje me imazhin e kukullës me 800 mijë euro
BKT
Shqipëri

Ajola Xoxa: S’kam lidhje me imazhin e kukullës me 800 mijë euro

rtsh

Ajola Xoxa, bashkëshortja e kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, ka reaguar për herë të parë lidhur me hetimet ndaj saj nga SPAK, që e akuzon për korrupsion, mosdeklarim pasurie dhe pastrim parash.

Megjithëse nën masën e sigurisë "detyrim paraqitje", Xoxa nënvizoi të hënën në rrjetin social Facebook se hetimi ndaj saj nuk e bën atë të pandehur dhe procesin e konsideroi një “dënim pa gjyq në gjyqin e politikës”.

Struktura e Posaçme Antikorrupsion dyshon se Xoxa ka shpenzuar mbi 800 mijë euro për blerje online në veshje e bizhuteri. Ajo tha se një shifër e tillë është e pavërtetë dhe totali i shpenzimeve të saj në blerje online edhe për 10 vite është gati dhjetëfish më e ulët se ç'pretendohet.

“E para pjesë e të pavërtetës së madhe, që dua ta çmontoj dhe ta flak nga vetja si një thes, që ma kanë hedhur në kokë për të më shëtitur nëpër rrugë, duke nxitur linçimin tim me pështyma dhe gurë, është natyrisht ajo më skandalozja: 800 mijë euro online fustane dhe bizhu.

Në seancën e të martës, datë 11 shkurt, në GJKKO, unë deklarova se shifra ishte lebetitëse dhe fundekrye e pavërtetë. Pastaj, që prej të mërkurës, ekspertët kontabël kanë kaluar në një sitë shumë të imët çdo llogari timen bankare dhe kanë nxjerrë nga deklaratat e llogarive bankare çdo blerje online të 10 viteve të fundit (1.1.2015 – 1.1.2025). Totali i blerjeve të mija online që përfshijnë veshje, produkte kozmetike dhe parafarmaceutike, aksesorë, etj. (duke mos përfshirë libra, tarifa dixhitale, abonime), është për 10 vite: 75’025 Euro në total (1.1.2015 – 1.1.2025)”, shkruan Xoxa.

Bashkëshortja e kryebashkiakut Veliaj thotë se mirëqenia e saj financiare vjen prej punës disavjeçare si juriste dhe avokate, si dhe nga pasuria e trashëguar nga familja.

“E kam të qartë që shumëkujt edhe kjo shifër mund t’i duket e madhe, por dua ta theksoj me këtë rast se unë nuk kam lidhje me imazhin e asaj kukullës me 800 mijë euro fustane dhe bizhu, sepse punoj si juriste dhe avokate prej 17 vjetësh, fillimisht në dy prej studiove më të mëdha të vendit, e më pas me studion time, me një numër të madh klientësh e bashkëpunëtorësh. Punoj edhe si kuratore apo drejtoreshë artistike e vizuale (dhe këtë gjithashtu do ta detajoj imtësisht shumë shpejt). Unë nuk njoh zbavitje tjetër përveç punës sime.

Unë vij nga dy familje të njohura shqiptare. Nga familja e babait tim, kemi trashëguar toka, troje, ndërtesa, shtëpi, etj., si në Tiranë, ashtu edhe jashtë saj. Të tëra të ditura kohë e kohë më parë se sa unë të rritesha e të bëhesha bashkëshortja e Erionit. Dikur pedagog, gazetar dhe kritik arti, pas ’90-ës im atë nisi të merrej me biznes, si shumë të tjerë. Unë kam patur fatin të rritem në një ndër ato familje shqiptare të tranzicionit me mundësi shumë të mira financiare, çka mundësoi edhe mbështetjen e studimeve të mia të larta për drejtësi, master e doktorature, në Paris e Romë”, shkruan ajo.

Xoxa bëri me dije se tabelat financiare do t’i dorëzojë edhe në GJKKO dhe SPAK, duke theksuar se pafajësinë e saj do ta kërkojë deri në Gjykatën e Strasburgut.


MË SHUME NGA Shqipëri