Speciale në RTK: CDU shpall fitoren në zgjedhjet parlamentare në Gjermani
G.K/RTKlive
Gjermanët po zgjedhin një qeveri të re, një moment kyç për të ardhmen e vendit dhe të Evropës. Këto zgjedhje janë të dominuara nga shqetësimet për ekonominë, presionet për të pranuar migracionin dhe pasiguria që ka mbërthyer të ardhmen e Ukrainës, dhe aleancën mes Evropës dhe SHBA-ve. Në RTK, këto tema po diskutohen me mysafirë të ftuar në kuadër të emisionit special "Zgjedhjet në Gjermani".
Friedrich Merz shpall fitoren e CDU/CSU
Friedrich Merz, lideri i CDU/CSU, ka shpallur fitoren në zgjedhjet parlamentare, pas rezultateve të exit poll-eve që renditën partinë e tij si fituese. Me një ton të vendosur, Merz ka theksuar se sfida kryesore tani është formimi i një qeverie të qëndrueshme dhe të fuqishme, sa më shpejt që të jetë e mundur.
"Kemi fituar zgjedhjet” , ka deklaruar Merz, duke shtuar se, edhe pse procesi për krijimin e qeverisë do të jetë i ngarkuar dhe i ndërlikuar, duhet të ndodhë pa humbur kohë.
Ndërkohë, kancelari aktual i Gjermanisë, Olaf Scholz, ka thënë se nuk do të marrë pjesë në negociatat e koalicionit me bllokun konservator nëse partia e tij SPD ftohet.
“Unë nuk do të jem përfaqësues i SPD-së në një qeveri federale të udhëhequr nga CDU, as nuk do ta negocioj atë”, tha Scholz.
Diskutime për zgjedhjet në Gjermani në emisionin special të RTK
Në kuadër të emisionit special të RTK-së, të udhëhequr nga Flutura Bekqeli Qena dhe Mendu Hysa, të ftuar mysafirë në studio dhe përmes lidhjeve me 'Skype' janë Avni Mazreku – ekspert i Integrimeve Evropiane, Afërdita Suka – ish-deputete në Berlin, Anila Shuka – gazetare e DW, Melazim Koci – njohës i politikave të jashtme dhe Oleksandra Malevich – kryeredaktore në Televizionin Publik të Ukrainës.
Avni Mazreku: Humbja e SPD-së e konsideruar humbje historike për partinë
Duke folur për rezultatet e para të zgjedhjeve, profesori Avni Mazreku tha se e konsideron humbjen e SPD-së së Sholzit, si humbjen të madhe për këtë parti që nga Lufta e Dytë Botërore.
Në lidhje me mundësitë e koalicioneve që mund të udhëheqnin Gjermaninë pas zgjedhjeve, Mazreku përmendi koalicionin më të diskutuar deri tani, atë mes CDU/CSU dhe SPD-së. Ky koalicion mund të paraqesë një mundësi për stabilizimin e situatës politike dhe realizimin e një qeverisjeje të përbashkët, por mbetet të shihet nëse do të arrijnë të gjejnë një platformë të përbashkët që mund të përmbushë interesat e të gjitha palëve të përfshira.
Afërdita Suka: Programi i CDU/CSU për migrimin i diskutueshëm në praktikë
Afërdita Suka, ish-deputete në Berlin, duke folur për migrimin në Gjermani, tha se aleanca CDU/CSU, që ka dalë e para në këto zgjedhje, ka përfshirë në programin e saj një plan për uljen e migrimit. Megjithatë, ajo theksoi se është e diskutueshme nëse ky program do të mund të zbatohet në praktikë.
"Kandidati për kancelar ka paraqitur një plan që përfshin rritjen e kontrolleve kufitare, refuzimin e personave pa dokumente të vlefshme, edhe në rastet kur ata kërkojnë azil, si dhe disa masa të tjera. Ky program ka fituar mbështetje dhe ka siguruar vota, por deri tani këto janë vetëm propozime dhe plane të paraqitura gjatë fushatës elektorale. Sa do të mund të realizohen dhe të zbatohen është ende një pyetje e hapur, pasi disa nga këto pika janë në kundërshtim me ligjet dhe normat evropiane", tha ajo.
Diskutim për ekonominë gjermane: Mazreku përmend uljen e taksave dhe rritjen e borxhit publik
Duke folur për ekonominë gjermane dhe nevojën për rimëkëmbje ndaj politikave strikte kundër migracionit të aleancës fituese, profesori Avni Mazreku theksoi se rënia e migrimit në Gjermani është rritur ndjeshëm vitin e fundit. "Ata nuk janë kundër migrimit, sepse kjo është kontradiktore me politikat e lëvizjes së lirë," tha ai, duke shtuar se sistemi gjerman proceson në mënyrë ligjore individët që i përshtaten nevojave të tregut të punës, dhe kjo ka ndikim pozitiv në ekonomi.
Ai gjithashtu theksoi se dy janë opsionet kryesore që konsiderohen për fuqizimin ekonomik: ulja e taksave dhe rritja e borxhit publik.
Diskutim për luftën në Ukrainë dhe mbështetja nga SHBA e BE
Një pjesë e kësaj speciale iu kushtua Ukrainës në 3-vjetorin e luftës. Oleksandra Malevich, kryeredaktore e Televizionit Publik të Ukrainës, në një lidhje të drejtëpërdrejtë, foli për bombardimet e fundit dhe theksoi se situata është shumë e lodhshme, pasi njerëzit nuk mund të flenë dhe janë shumë të shqetësuar.
Lidhur me hendekun mes presidentit Zelensky dhe presidentit Trump, ajo theksoi se ukrainasit nuk e kishin pritur një qëndrim të tillë nga administrata amerikane, pasi Ukraina e konsideron SHBA-në aleatin kryesor. Megjithatë, ajo shpreson se do të arrihet një lloj pajtimi.
Malevich gjithashtu shprehu shpresën se Ukraina do të ketë mbështetje nga Bashkimi Evropian për çështjen e saj dhe se do të ndihmohet që të mbijetojë dhe të ecë përpara drejt një marrëveshjeje paqeje më bindëse, përtej asaj që ishte propozuar nga Trump.























