Epopeja e Lirisë; Ish-ushtarja e UÇK-së:Moto e jona ‘të lirë ose të vdekur`
V.Saraçi/V.Thaçi|RTKlive
Radiotelevizioni Kosovës në kuadër të shënimit të 27-vjetorit të Epopesë së UÇK-së po transmeton edicionin special nga Kompleksi Memorial i Familjes Jashari në Prekaz. Nga pamjet e shfaqura drejtpërdrejt shihen qytetarë të shumtë të cilët vazhdojnë të nderojnë sakrificën e Jasharëve pranë varreve të atyre që luftuan për tri ditë radhazi me ushtrinë e policinë serbe.
Elheme Hetemi, ish-ushtare e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ishte e re në moshë kur kapi pushkën e iu bashkua ushtrisë për çlirimin e vendit.
Ajo në RTK rrëfeu se motivi për t’iu bashkuar luftës së Ushtrisë Çlirimtare ishte robëria në të cilën ndodhej vendi nën pushtim.
“Ishte mobilizim i gjithë atyre që kanë pasur bindjen se populli duhet t’i heqë prangat e robërisë e ta kërkojë të drejtën elementare për të jetuar të lirë”, tha Hetemi në rrëfimin e saj në studion e hapur të RTK-së në Kompleksin Memorial “Adem Jashari”.
Sipas saj, rezistenca e Familjes Jashari ishte flakadan për mobilizim të të gjithë liridashësve.
“Ajo ndjenjë atë ditë më kaploi edhe mua, që atë ditë u mundova me çka kisha të jap kontributin tim”, shtoi ajo.
Tregoi për vështirësitë që kishin për të funksionuar atë kohë, por vullneti dhe bindja për të qenë të lirë i ka mposhtur të gjitha vështirësitë.
“Ishte edhe moto e jona, ‘të lirë ose të vdekur’”.
Gashi: Prekazi, zanafilla e UÇK-së
Në studion e hapur, historiani Ibrahim Gashi, tha se është pikërisht Prekazi, vendi ku e ka zanafillën UÇK-ja.
“Zanafilla e UÇK-së është pikërisht vendi ku jemi, por jo vetëm. Ushtria Çlirimtare vjen pas një serie të gjatë të një lëvizje të gjatë të përpjekjeve që nga vii 1913 deri më 1999 kur u çlirua vendi. Është një trajektore e gjatë historike e përpjekjeve të shqiptarëve”, tha ai.
Sipas tij, epoka e UÇK-së, mund të konsiderohet epoka kulmore, episodi i fundit i kësaj historie të lavdishme.

“Lëvizja e armatosur për çlirimin e Kosovës, fillimet e veta i ka në fillim të viteve të ’90-ta në grupet e para të rezistencës. Komandantët e parë që i krijuan këto grupe, Adem Jashari në Drenicë, Zahir Pajaziti në Llap, vëllezërit Haradinaj në Dukagjin e shokë të tjerë, mbi atë lëvizje të rezistencës u pa me ato aksionet fillimisht sporadike, dhe në vitin 1996 e kemi një aksion të koordinuar për t’i dhënë goditje në disa pika të përnjëhershme forcave policore serbe, në stacione policore anekënd Kosovës, dhe kjo rezistencë e këtyre grupeve të armatosura, e tregoi një realitet se nuk është e pathyeshme një ushtri, sado që dukej e fortë në numër e armatimin që e kishte”, tha ai.
Gashi tha se ajo që shënon 5, 6 e 7 marsin, është kulmi i kësaj lëvizje fillestare të rezistencës për të ndërgjegjësuar secilin shqiptar se nuk mjaftonin përpjekjet e një lëvizje paqësore me kontakte diplomatike për ta çliruar Kosovën, përmes një rruge diplomatike.
“Akti më sublim në historinë e njerëzimit, rënia heroike e tyre, shërbeu si një moment kthese e ndërgjegjësimi kolektiv se të gjithë duhet të japim diçka për të fituar më të shtrenjtën, për të fituar lirinë”.
Avdullahu: Në Prekaz Serbia përdori me mijëra predha
Ndërkohë, Durim Avdullahu që bën pjesë në grupin e historianëve të rinj, foli për atë se si rrodhi sulmi në familjen Jashari. Tha se bëhet fjalë për një aksion të gjerë policor ku kanë qenë të përfshira mijëra trupa policore e njësite të veçanta ushtarake.
“Në këtë kohë Jugosllavia kishte adaptuar një tank sovjetik e cila mendohet që në një prej rasteve të para kur është përdorur ka qenë pikërisht gjatë luftimeve të Prekazit. Urdhri është dhënë drejtpërdrejt nga Slobodan Millosheviq nëpërmjet njërit prej krerëve të inteligjencës dhe ka pasur kombinim të njësiteve të ndryshme speciale kundër terrorit, njësiteve të quajtura të posaçme policore të Serbisë dhe njësiteve të veçanta të ushtrisë jugosllave në këtë aksion”, tregoi tutje ai gjatë bisedës në studion e hapur të RTK-së në Kompleksion Memorial në Prekaz.

Avdullahu bëri të ditur se ndryshe prej dy aksioneve të para, atë të 30 dhjetorit ‘91 dhe 22 janarit ’98, që kishin nisur herët në mëngjes, aksioni i 5 marsit kishte nisur më vonë afër orës 07:00 të mëngjesit.
“Me sa duket policia serbe ka pasur idenë të krijojë habi tek banorët e fshatrave përreth. Fillimisht është menduar se do të rrethohet Llausha, pastaj është bërë një rrethim i brendshëm disa shtresor i lagjeve të Prekazit, që të shkëputen komunikimet prej njëra-tjetrës, pastaj është bërë rrethimi i tërë fshatit. Luftimet kanë nisur në mëngjesin e hershëm, dhe kanë nisur të paktën sipas dëshmitarëve në pjesën e përparme të shtëpive të Shaban Jasharit”, tregoi tutje historiani Avdullahu.
Sipas tij, gjatë paradites së 5 marsit dëshmitarët rrëfejnë që ka pasur katër mësymje në këmbë e katër tërheqje prapa të këmbësorisë, për të nisur pastaj goditjet e shtëpive prej nga vinte rezistenca.
“Gjatë atyre ditëve janë përdorur me mijëra predha të kalibrave të ndryshëm dhe janë përdorur mjete të llojllojshme, gaz lotsjellës, përdorim të tepruar të forcës ndaj çdo shtëpie apo kudo që policia ka dyshuar e ku ka parë që ka rezistencë”, tha tutje Avdullahu.
Gërxhaliu: Zhvarrimi i trupave momenti më i vështirë
Eksperti i mjekësisë ligjore Arsim Gërxhaliu, ka kujtuar kohën kur është bërë ekshumimi i eshtrave të trupave të vrarë në Prekaz dhe tregoi vështirësitë e zhvarrosjes së tyre.
Sipas tij, familja Jashari ka dëshiruar që varret të hapeshin dhe të bëhej identifikimi i trupave në baza shkencore dhe me ADN nga ekspertët vendor.
Ai tha se zhvarrimi i trupave ka qenë momenti më i vështirë, por njëkohësisht edhe më krenar për të, sepse hynin në diçka që e prek historinë.

“Frika më ka përcjellë gjatë tërë kohës, edhe pse kemi gjetur artefakte, edhe shenjat e moshës dhe gjëra tjera të cilat pas ardhjes së analizave të ADN-së u vërtetua identiteti i tyre. Karakteristikë ka qenë se 7 epitafe kanë qenë ENN, pra nuk kanë pasur emra, kurse pas përfundimit të punës kemi pa se në shtatë varreza kishin qenë gabimisht të varrosur”, tha ai në studion e hapur të RTK-së në Kompleksin Memorial ‘Adem Jashari’ në Prekaz.
Gërxhaliu tregoi se qëllimi ka qenë identifikimi dhe shkaku i vdekjes dhe për të gjithë është krijuar raporti i autopsisë dhe i është dorëzuar Prokurorisë Speciale për Krime Lufte.
“Sfidat kanë qenë shumë të mëdha, është punuar me forca vetanake, dhe i gjithë procesi ka zgjatur 13 ditë”, tha ai.
Ahmet Jashari me dy botime për trashëgiminë e UÇK-së
Ahmet Jashari, shkrimtar dhe bashkëvendës i Komandantit Adem Jashari, në specialen e RTK-së “Epopeja e Lirisë” foli për dy botimet e tij të cilat përmbajnë të kaluarën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Jashari tha se për këto botime janë bërë hulumtime në terren, ku në botimin e parë përfshihet territori i komunave të Mitrovicës, të Skenderajt dhe të Vushtrrisë. Sipas tij, janë bërë nga 20 foto në terren, e në këto foto përfshihen gjurmët që janë të lidhura me luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, qoftë si kazerma ushtarake që kanë shërbyer gjatë luftës, spitale ushtarake, furra buke, mandej shtabet e brigadave të zonave etj.
Ndërsa botimi i dytë është realizuar në vitin e kaluar dhe ka mbuluar territorin e komunës së Prishtinës, Podujevës dhe Drenasit, tha Jashari.
Ai tha se këto botime janë financuar nga Ministria e Kulturës.
“Botimet janë shpërndarë te shoqatat e luftës dhe bibliotekat në mënyrë që të rinjtë dhe opinioni sadopak të ketë një pasqyrë për gjendjen çfarë ka mbetur nga ajo trashëgimi e luftës”, tha Jashari.
Tutje Jashari tha është e vështirë të gjenden gjurmët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës kur ende nuk kanë kaluar 30 vite nga lufta.
Istogu: Rrethimi ishte hermetik, luftimet i përcillja nga çatia e shtëpisë
Në studion e hapur të RTK-së në Kompleksin Memorial në Prekaz ishte i ftuar edhe gazetari i asaj kohe, Sabit Istogu, i cili ka rrëfyer për atë që kishte parë përgjatë atyre ditëve të luftimeve mes familjes Jashari dhe forcave policore e ushtarake serbe.
Atëbotë, Istogu ishte korrespodent i rregullt i gazetës Rilindja e punonte edhe për Radiotelevizionin Shqiptar e DW, ku për 15 muaj thotë se raportoi për situatën në zonat e luftës.
Ai tregoi se në ditën kur nisën luftimet në lagjen e Jasharëve, gjithçka ishte rrethuar hermetikisht dhe nuk mund të kishte asnjë lëvizje në atë pjesë.
Ai rrëfen se si nga çatia e shtëpisë së tij, vëzhgonte situatën ku shihte vetëm tym e flakë e dëgjonte të shtëna.

“Vështirësia ka qenë e madhe, e ne ishim përcaktuar që të paktën në mediumet tona ta prezantojmë luftën e UÇK-së me mundësitë që kishim. Nga këtu kam shtëpinë 1 kilometër distancë, dhe unë isha brenda rrethimit të policisë e ushtrisë serbe, dhe nga aty mundohesha që këtë ngjarje ta përcillja nga çatia e shtëpisë, por që nuk mund të shihje asgjë tjetër përpos tymit, flakës e forcave policore e ushtarake”, tha ai.
Istogu, thotë se mburret me punën që ka bërë gjatë kësaj periudhe lufte, derisa tregoi se ka qenë në të tria sulmet që i janë bërë Familjes Jashari.
“Ishte fat i rëndë të raportoja. Mburrem me atë që kam bërë sepse më qëlloi fati që të jem jo vetëm në këtë ngjarje, por në të gjitha ngjarjet që janë zhvilluar në Prekaz”, shtoi ai.























