Analistët në RTK Prime: Rutte potencoi rëndësinë e koordinimit me NATO-n
M.Pasoma / RTKlive
Analistët në edicionin special të “RTK Prime” pas intervistës së Sekretarit Gjeneral të NATO-s, Mark Rutte, dhënë për RTK-në, kanë komentuar deklaratat që i dha ai në vizitën e tij të parë në Kosovë.
“Përderisa kemi pesë shtete të NATO-s të cilat nuk të njohin, atëherë ne duhet të jemi më të kujdesshëm. Ai thotë se nuk duhet të veprojmë në mënyrë laterale, pra duhet të shkojmë në mënyrë të koordinuara. Kjo e dimë që në të kaluarën na ka shërbyer që SHBA dhe shtetet e tjera mike të na ndihmojnë të lobojmë, të punojmë me shtetet që s’na njohin. Pra, sa më shumë që punojmë në këtë drejtim që mos të bëjmë problem mbi problemet tona të brendshme në raport me NATO-n, unë besoj që do të gjejmë mbështetje më të madhe”, ka thënë gjenerali në pension, Xhavit Gashi.
Profesori Bujar Dugolli ka thënë se në rajon problemi qëndron te Serbia si një shtet ku mungon demokracia dhe ku vet populli serb po pëson nga politika autoritare e Aleksandër Vuçiqit.
“Mesazhet sa i përket Kosovës janë të qarta: koordinimi i veprimeve, bashkëpunimi, siç janë thënë në vazhdimësi. Në situata të nxehta siç ishte ajo e 2023-ës në shtator, bashkëpunimi ka qenë evident, janë parandaluar veprimet që do të mund të shkaktonin një konflikt më të gjerë të cilën e ka dashur Serbia e Rusia. Një test i madh i stabilitetit e sigurisë është treguar nga institucionet e Kosovës por edhe bashkëpunimi ndërkombëtar që e kanë pasur”, tha Dugolli.
Profesori Flamur Hyseni ka potencuar rolin neutral të politikës paqeruajtëse të NATO-s në Kosovë.
“NATO përmes sekretarëve të mëhershëm, edhe të këtij aktual, tërheq vërejtjen për të mos implikuar në procese politike. NATO nuk ka pasur rol në dialogun me Serbinë, gjithmonë ka pasur qëndrime shumë neutrale”, tha Hyseni.
“Nuk kemi qenë në raport të keq me NATO-n por kemi pasur vërejtje. Ata kanë dëshirë që ky mision të mbetet i tillë i paqes, pa viktima dhe pa rrezikim”, ka thënë profesoresha Besa Luzha në RTK Prime.























