Real Madrid kalon në çerekfinale pas dramës së penalltive
Uran Krasniqi / RTKLive
Real Madrid ka siguruar një vend në çerekfinal të Champions League pas një fitore dramatike ndaj Atletico Madrid, në një ndeshje që është vendosur pas 120 minutash lojë dhe ekzekutimit të penalltive.
Skuadra e Carlo Ancelotti ka triumfuar me rezultat 4-2 pas gjuajtjeve nga pika e bardhë.
Derbi madrilen, i zhvilluar në "Metropolitano", ka përfunduar 1-0 në kohën e rregullt në favor të Atletico, duke barazuar rezultatin e përgjithshëm në 2-2, pasi Real Madrid kishte fituar ndeshjen e parë 2-1.
Gallagher ka shënuar për Atletico pas vetëm tridhjetë sekondash lojë, ndërsa Vinicius Junior ka humbur një penallti në minutën e shtatëdhjetë, duke e lënë Real pa gol deri në fund të kohës së rregullt dhe vazhdimeve.
Në serinë e penalltive, Real Madrid është treguar më i saktë, duke siguruar kalimin në fazën tjetër të turneut.
Më herët, Borussia Dortmund, Arsenal dhe Aston Villa kanë siguruar kualifikimin në çerekfinale, pas fitoreve në kohën e rregullt.























