Hodaj njofton për ndërprerje të bashkëpunimit me FFK-në
Uran Krasniqi/RTKLive
Avokati Taulant Hodaj ka njoftuar për ndërprerjen e bashkëpunimit të tij me Federatën e Futbollit të Kosovës.
Në një publikim të tij, Hodaj ka përmendur si shkak mosmarrëveshje profesionale dhe qasje të ndryshme në përfaqësimin e Kosovës në Gjykatën e Arbitrazhit Sportiv (CAS) në Lozanë.
Me keqardhje, por edhe me ndjenjën e përgjegjësisë profesionale, kam njoftuar sot kryetarin e Federatës së Futbollit të Kosovës për vendimin për përfundim të bashkëpunimit tim si avokat dhe përfaqësues juridik i FFK-së. Ky vendim erdhi pas një sërë ngjarjesh dhe praktikash të përsëritura nga FFK që kanë qenë në kundërshtim me parimet e mia profesionale, veçanërisht në lidhje me pengesat dhe qasjet e ndryshme rreth përfaqësimit të rastit në CAS Lozanë kundër Rumanisë. Besoj se kjo qasje e FFK-së do të dëmtoj shanset e Kosovës për të fituar rastin dhe për të mbrojtur të drejtat dhe reputacionin futbollistëve dhe ekipit kombëtar. FFK-ja është njoftuar për këtë dhe arsyet e tjera kyçe të ndërprerjes së bashkëpunimit", ka thënë ai. "Gjatë angazhimit tim si avokat i FFK-së, dhe për një periudhë të caktuar edhe si ushtrues i detyrës së Sekretarit të Përgjithshëm, kam dhënë kontribut maksimal për mbrojtjen ligjore të institucionit të FFK-së, ngritjen e kapaciteteve profesionale konform praktikave ndërkombëtare, hartimin e akteve normative dhe përfaqësimin e FFK-së në UEFA dhe FIFA".























