Analistët: Çdo lëvizje për çlirim Serbia e etiketon si ekstremizëm fetar
BKT
Lajme

Analistët: Çdo lëvizje për çlirim Serbia e etiketon si ekstremizëm fetar

M.M. /RTKlive

Instituti Prevent ka bërë një raport hulumtues lidhur me propagandën serbe për ta paraqitur Kosovën si vend fundamentalist islamik. Një propagandë të tillë Serbia ka zhvilluar edhe në të kaluarën, por që tashmë është rritur intensiteti i saj në këtë drejtim.

Skënder Perteshi, nga Instituti Prevent, foli për arsyen e të bërit të këtij raporti, ku sipas tij, Serbia, me ndihmën e Rusisë, është përpjekur gjithmonë që çdo lëvizje çlirimtare ta lidhin me elementin fetar, me terrorizmin islamik.

Ai në emisionin ‘Special’ në RTK, tha se nxitje kryesore për bërjen e raportit hulumtues për propagandën serbe ka qenë deklarata e kryetarit të Komisionit për Siguri në Serbi, Millorad Dreçun, sipas të cilit Kosova është vend i fundamentalizmit islamik, në të cilën edhe shteti edhe popullata e mbështesin fundamentalizmin islamik.

“Dhe nuk është i vetmi person në Serbi që deklaron kështu për Kosovën, por edhe politikanë e funksionarë të tjerë të shtetit serb”, shtoi më tej Perteshi.

Ai theksoi se një propagandë e tillë e Serbisë nuk është e rastësishme, por është përdorur historikisht.

Tutje, Perteshi tha se kauzën kombëtare te shqiptarët asnjëherë nuk e ka penguar elementi fetar.

Nuri Behxheti, profesor universitar,  tha se Serbia ka punuar në vazhdimësi për ta dëmtuar Kosovën përmes propagandës në prizmin fetar, duke u munduar ta paraqesë Kosovën si vend i fundamentalizmit islamik.

Ai përmendi luftën e UCK-së ku, sipas tij, me sukses është evituar propaganda serbe për ta denigruar luftën çlirimtare në Kosovë, se nuk është involvuar si strukturë politike e as si strukturë ushtarake.

E Orhan Bislimaj, kryeimam në Prizren, tha se një prej armëve kryesore të Serbisë kundër Kosovës ka qenë etiketimi përmes fundamentalizmit islamik.

“Serbia kurrë nuk ka reshtur së përpjekuri për ta zhdukur popullin shqiptar përmes planeve të veta nëpër shekuj”, tha Bislimaj.


MË SHUME NGA Lajme