Zgjedhjet e 11 majit, PS hap zyrtarisht fushatën në 12 prill
V.TH / RTKLive
Tirana do të jetë qendra e nisjes zyrtare të fushatës elektorale për zgjedhjet parlamentare të 11 majit.
Partia Socialiste do të hapë zyrtarisht në 12 prill fushatën elektorale për zgjedhjet parlamentare të 11 majit, në një takim festiv në sheshin “Skënderbej” në Tiranë.
Këtë e bëri të ditur sot kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, njëherësh kryetar i Partisë Socialiste.
“Më 12 prill, nga 12 qarqe, rreth 12 yjeve të Europës”, ka shkruar Rama në rrjetin social Facebook, ku pritet të japë mesazhin e tij politik për rrugëtimin europian të vendit dhe të paraqesë vizionin e PS.
Ndryshe Rama, i cili lufton për një mandat të katër qeverisës, prej kohësh është shprehur se zgjedhjet e 11 majit janë historike pasi është një votë për vendin në BE dhe marrjes së pasaportës europiane nga shtetasit shqiptarë.
Ndërkohë Partia Demokratike ka njoftuar se do të hapë fushatën për zgjedhjet parlamentare të 11 majit në 11 prill në sheshin “Nënë Tereza” në Tiranë, dhe për këtë Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka kërkuar angazhimin e maksimal të të gjithëve drejtuesve dhe anëtarëve të partisë.























