Fillon ESG Adria Samit
RTKlive
Të mërkurën, më 9 prill, në Porto Montenegro në Tivar, fillon ESG Adria Samiti, ngjarja më e madhe rajonale e dedikuar çështjeve të qëndrueshmërisë, investimeve, inovacionit dhe zhvillimit ekonom
Gjatë tre ditëve të samitit priten më shumë se 700 pjesëmarrës, përfaqësues të lartë, zyrtarë qeveritarë, liderë të biznesit, vendimmarrës, sipërmarrës dhe përfaqësues të organizatave ndërkombëtare nga rajoni dhe bota.
Mbi 140 folës të njohur ndërkombëtarisht, përfaqësues nga më shumë se 300 kompani dhe mbi 60 liderë të rinj nga rajoni do të kenë mundësinë të prezantojnë praktikat më të mira të biznesit dhe të diskutojnë për zhvillimin e qëndrueshëm, inovacionin dhe tranzicionin e gjelbër.
Zëvendëskryeministri për Zhvillim Ekonomik, Nik Gjeloshaj, me këtë rast tha se Mali i Zi është krenar që është nikoqir i këtij dialogu, sepse, siç theksoi ai:
“më shumë se kurrë më parë, besojmë se qëndrueshmëria nuk është vetëm një koncept – por realiteti ynë, detyrimi dhe rruga përpara.”
Ai shtoi se ESG nuk është një listë dëshirash, por një politikë operative, duke theksuar se Qeveria ka punuar shumë në periudhën e kaluar për të rregulluar sistemin institucional dhe ekonomik.
“Kur para tre vitesh nisëm ESG Adria Samitin, dëshironim të hapnim hapësirë për një bisedë serioze dhe konkrete për të ardhmen e rajonit. Sot, duke parë numrin e pjesëmarrësve, thellësinë e temave dhe cilësinë e dialogut, mendoj se është e qartë se kemi krijuar diçka që e tejkalon formatin klasik të një konference,” tha Biljana Braithwaite, drejtoreshë ekzekutive e Sustineri Partners, organizatore e ESG Adria Samitit.
Mali i Zi është nikoqir i ESG Adria Samitit për të tretin vit me radhë, dhe sipas Braithwaite, këtë vit pjesëmarrësit do të hapin një sërë temash, nga situata gjeopolitike dhe ndikimi i saj në rajon, siguria juridike si kyçe për përparimin ekonomik dhe tërheqjen e investimeve të huaja, tranzicioni energjetik, inteligjenca artificiale dhe e ardhmja e punës, turizmi i qëndrueshëm dhe natyrisht roli i të rinjve në transformimin e rajonit.
“Si destinacioni kryesor në Adriatik, synimi ynë është të jemi udhëheqës në integrimin e praktikave ESG. Përmes kësaj konference, dëshirojmë të mbledhim partnerët tanë, qiramarrësit dhe klientët për të shkëmbyer njohuri dhe përvoja, dhe për të përmirësuar më tej qasjen tonë ndaj një biznesi të qëndrueshëm. ESG nuk është më e ardhmja – është tashmja dhe detyrimi ynë. Roli ynë është të udhëheqim në menaxhimin e përgjegjshëm të burimeve dhe në ruajtjen e mjedisit natyror dhe shoqëror,” theksoi Predrag Leković, drejtor për marrëdhënie me qeverinë dhe menaxhimin e pronës në Porto Montenegro.
ESG Adria Samiti, i cili do të mbahet nga 9 deri më 11 prill në Tivar, organizohet nga Sustineri Partners dhe Porto Montenegro, në partneritet me Qeverinë e Malit të Zi dhe nën mbështetjen e Presidentit të Malit të Zi.























