Njohja e statusit të viktimave të dhunës seksuale të jetë e përhershme
BKT
Lajme

Njohja e statusit të viktimave të dhunës seksuale të jetë e përhershme

Elmine Osmani/ RTK

Në mbështetje të të mbijetuarve të dhunës seksuale të luftës së fundit në Kosovë, Rrjeti Ballkanik për Gazetari Hulumtuese ka lansuar fushatën “Trauma nuk ka afat”. Ky lansim u bë në shënimin e 14 prillit “ Ditës Memoriale të të Mbijetuarve të Dhunës Seksuale të Luftës”.

Ndonëse fushata “Trauma nuk ka afat” tenton zgjatjen e afatit të Komisionit për trajtimin e të mbijetuarve të dhunës seksuale, Qeveria e Kosovës po të njëjtën ditë vendosi afat për parashtrimin e kërkesës për njohjen e statusit të viktimës së dhunës seksuale gjatë luftës, deri më 15 maj 2027.

Mirëpo, njëra nga të mbijetuarat e dhunës seksuale të luftës, e cila e para rrëfeu publikisht tmerrin që përjetoi kur ishte vetëm 16-vjeçare, Vasfije Krasniqi kërkoi nga qeveria që ky afat të jetë I përhershëm.

“Ai vendim duhet të jetë i përjetshëm, se krimet nuk skadojnë. Kështu që unë e lus qeverinë që ta marrë vendimin që të jetë i përhershëm dhe e lus që vendimet që janë refuzuar të rishikohen prapë”, tha Krasniqi.

Drejtoresha e Qendrës Kosovare për Rehabilitimin e Viktimave të Torturës, Feride Rushiti, tha se personat e dhunuar gjatë luftës ende janë të stigmatizuar nga shoqëria.

Heqjen në tërësi të afatit për aplikim të statusit të viktimës së dhunës seksuale gjatë luftës e kërkoi edhe ambasadori i Britanisë së Madhe në Kosovë.

“Ajo që do të donim të shihnim është heqja e afatit në tërësi. Fushata e sotme dërgon një mesazh të fuqishëm për ata që kanë përjetuar dhunë seksuale, por që ende nuk janë gati të flasin për të: Kur të jeni gati, Kosova duhet të jetë gati, tha ambasadori Hargreaves.

Në këtë diskutim po ashtu u tha se 38 viktima të dhunës seksuale kanë vdekur pa iu njohur statusi I viktimës. Rreth 20 mijë persona janë dhunuar seksualisht gjatë luftës së fundit në Kosovë, ndërsa nga viti 2018, kur ka nisur aplikimi për njohjen e statusit, deri në qershor të vitit të kaluar kanë, aplikuar 2 mijë e 83 persona për statusin e viktimës së dhunës seksuale gjatë luftës.


MË SHUME NGA Lajme