Ndërpritet seanca konstituive e Kuvendit|VIDEO
BKT
Foto: Ekipi i RTK-së
Lajme

Ndërpritet seanca konstituive e Kuvendit|VIDEO

A.Bela, V.Thaçi, A.Sejda,E.Podvorica.E.Osmani| RTK

(E plotësuar, ora 13:00) Ka dështuar konstituimi i Kuvendit. Paraprakisht nuk ka kaluar raporti i Komisionit për verifikimin e mandateve.

RTK transmetoi program special dhe të gjitha zhvillimet që kanë të bëjnë me Kuvendin.

Abdixhiku: Kabineti qeveritar të japë dorëheqje, e pastaj të vijnë në Kuvend

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka thënë para mediave se kabineti qeveritar duhet të japë dorëheqje, e pastaj të vijnë në Kuvend. Ai tha se LDK kërkon dorëheqje të qeverisë dhe menjëherë LDK do të votojë raportin.

Abdixhiku përmendi edhe disa deputetë të LDK-së, që kanë dhënë dorëheqje në pozitën e tjera. Ai mohoi akuzat e VV-së për bashkëpunim të Listës Serbe. “Gjuha polarizuese nuk është në shërbim të qytetarëve”, tha ai.

Krasniqi: Nëse dështon Kurti të krijojë qeverinë, jemi të gatshëm

Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, tha se Lëvizja Vetëvendosje ka krijuar një situatë paprecedentë në Kuvend, duke thënë se kjo parti e ka shkelur Kushtetutën për katër vjet.

I pari i PDK-së, ka thënë para mediave se “s’do të lejojmë që kjo legjislaturë të nisë me shkelje kushtetuese”.

“Situata që ka krijuar VV-ja është e paprecendentë. Këta vetë e kanë shkelur ligjin për Qeverinë, e kanë shkruar që s’mundet kryeministri e ministrat të betohen si deputetë. Katër vjet e kanë shkelur Kushtetutën. Ka kaluar ajo kohë. S’do të lejojmë që të nisë kjo legjislaturë me shkelje kushtetuese. Me logjikën e Kurtit do të duhej të ishin edhe kryetarët e komunave. Edhe Bedri Hamza do të duhej të ishte këtu”, ka thënë Krasniqi. Ai tha se nëse Kurti dështon të krijojë qeverinë, janë të gatshëm.

Ndërpritet seanca konstituive e Kuvendit

Kryesuesi i seancës konstituive, Avni Dehari, njoftoi për ndërprerjen e seancës, pasi tha se s’ka shumicë për vijim të saj.

Dehari theksoi se pas situatës së krijuar me mosvotimin e raportit për konfirmimin e mandatave, seanca ndërpritet.

“Për shkak të rrethanave të krijuara meqë raporti i komisionit nuk mori votat e mjaftueshme në këto rrethana duhet ta ndërpresim seancën dhe me një letër ta njoftojmë presidenten sesi do të vijohet tutje”, deklaroi Dehari.

Ai ka njoftuar se “detyrohemi të ndërpresim seancën dhe me letër t’i kërkojmë presidentes se si të veprojmë në të ardhmen”.

Haxhiu thotë se mos votimi i raporti i Komisionit, e paprecedent

Deputetja e VV-së, Albulena Haxhiu, ka deklaruar se kabineti qeveritar ka kryer të gjitha detyrat e veta në përputhje me Kushtetutën dhe ligjin.

Ajo ka akuzuar opozitën se nuk ka shqetësim të vërtetë për Listën Serbe, por se hallin e ka me Vetëvendosjen dhe kryeministrin Albin Kurti. Sipas saj, pavarësisht se grupi parlamentar i VV-së ishte i gatshëm të merrte pjesë në seancë dhe të votonte raportin për betimin e deputetëve, opozita nuk e ka mbështetur atë.

Haxhiu e cilësoi si shqetësuese faktin që opozita nuk e përmend fare Listën Serbe, por përqendrohet vetëm në sulme ndaj VV-së dhe Kurtit, ndërkohë që Qeveria në detyrë ka përmbushur të gjitha detyrimet e saj ligjore.

“Si kabinet, i kemi kryer të gjitha detyrat dhe obligimet tona sipas Kushtetutës dhe ligjit. Siç edhe e dini, sot ishim të pranishëm në seancën e Kuvendit. Grupi parlamentar i Vetëvendosjes ishte i gatshëm të merrte pjesë dhe të votonte raportin për betimin e deputetëve. Por ndodhi një situatë e paprecedent – opozita nuk e votoi raportin e komisionit të udhëhequr nga Artan Abrashi. Ajo që është shqetësuese, është se opozita nuk tha asnjë fjalë kundër Listës Serbe, por të gjithë e kanë hallin te Vetëvendosja dhe Albin Kurti. Ata nuk e kanë hallin me Listën Serbe, por me ne. Tentojnë të vonojnë procesin dhe nuk janë të interesuar për krijimin e institucioneve”, ka thënë ajo.

Peci akuzon Listën Serbe dhe PDK-në, LDK-në e AAK-në për dështimin e konstituimit të Kuvendit

Deputeti Faton Paci ka reaguar pas dështimit të seancës konstituive. Sipas tij një gjë të tillë e pa mundësoi ‘Lista Serpska’ dhe opozita e deritashme duke votuar kundër.

“Kjo është një rrethanë e re që në aspektin kushtetues ligjor dhe rregullores së punës së kuvendit nuk është e paraparë dhe e definuar dhe rrjedhimisht kryesuesi i seancës ka vendosur që për një situatë të tillë ti drejtohet presidentes, që është në diskrecionin e presidentes të kthejë përgjigje ose ti drejtohet gjykatës kushtetuese”, ka theksuar ai.

Peci ka komentuar edhe dorëheqjen e qeverisë dhe të ministrave. “Unë dorëheqjen e jap kur dua, ne e deponuam dorëheqjen para dhënies së betimit ashtu thotë ligji”, tha ai.

Sipas tij, plani i ri do të shpaloset në momentin kur do të jenë verifikuar mandatet dhe kur të krijohet rrethana kushtetuese dhe ligjore që të konstituohet Kuvendi.No description available.

Nuk kalon raporti i Komisionit, Kuvendi shkon në pauzë për konsultim

Nuk ka kaluar raporti i Komisionit për verifikimin e mandateve.

52 deputetë ishin pro, 46 kundër e 11 kanë abstenuar, me ç’rast kryesuesi i seancës konstituive njoftoi për një pauzë konsultative me subjektet politike.

Kuvendi shkon në pauzë prej 15 minutash për konsultime.

Krasniqi: Situata mund të ndryshojë nëse kryeministri e ministrat japin dorëheqje

Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, ka thënë se nuk e kanë votuar raportin e komisionit për verifikim të kuorumit dhe mandateve, pasi e vlerësojnë se ai është kundërkushtetues. 

“Aktualisht në të njëjtën kohë që nga kryeministri Kurti e të gjithë ministrat që janë zgjedhur deputetë po tentojnë që të mbajnë edhe pozitë ekzekutive e edhe legjislative, që ua ndalon Kushtetuta e Kosovës. Kushtetuta e thotë qartë që nuk mund të behësh deputetët nëse je në pozicion ekzekutiv”, ka theksuar Krasniqi.

Zemaj: Nuk është paraqitur me kohë dokumentacioni për dorëheqjen e kryeministrit dhe ministrave

Anëtari i Komisionit për verifikim të mandateve nga LDK-ja, Aremnd Zemaj, ka thënë se kanë votuar kundër raportit të Komisionit për verifikim të mandateve.

“Edhe unë në emër të LDK-së, kam votuar kundër raportit, jo pse nuk përmban të dhënat e sakta nga KQZ-ja, por sepse nuk është shpërndarë dokumentacioni me kohë sa i përket aktit të dorëheqjes së kryeministrit dhe ministrave të cilët janë zgjedhur si deputetë. Për të siguruar siguri kushtetues, që nuk do të ketë shkelje të Kushtetutës ne kemi kërkuar dokumentacion shtesë. Na është paraqitur një letër e dërguar nga kryeministri, letër që do të duhej të shpërndahej në ditën e certifikimit, para certifikimit”, ka thënë Zemaj në një deklarim për media në hollin e Kuvendit. 

Deputetët kthehen në seancë, vazhdon seanca konstituive e Kuvendit

Pas pauzës ka vazhduar seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës.

Seputet i Lëvizjes Vetëvendosje, njëherit anëtar i Komisionit për verifikim të mandateve, Artan Abrashi, ka njoftuar se është shqyrtuar dokumentacioni për legjislaturën e nëntë, e kundër këtij raporti kanë qenë deputetët e PDK-së, LDK-së dhe të AAK-së.

Sipas tij, pro dokumentacionit ishte Lëvizja Vetëvendosje.

Abrashi përmendi numrin e deputetëve të partive, derisa tha se në sallë janë 119 deputetë prezentë.

Kuvendi i Kosovës shkon në pauzë për 15 minuta

Seanca konstituive e Legjislaturës së IX të Kuvendit të Republikës së Kosovës, e dalë nga zgjedhjet e 9 shkurtit, ka shkuar për 15 minuta në pauzë. Komisioni për verifikimin e mandateve të deputetëve ka kohë 15 minuta për të verifikuar mandatet e deputetëve.

Votohet Komisioni për Verifikimin e Mandateve të Deputetëve

Kryesuesi i seancës konstituive, Avni Dehari, ka hapur punimet e seancës së sotme, duke kërkuar nga partitë që të propozojnë kandidatë për të udhëhequr Komisionin për Verifikimin e Mandateve të Deputetëve.

Artan Abrashi është votuar për kryetar të komisionit për verifikimin e mandateve të deputetëve, nga PDK, Përparim Gruda, nga LDK Armend Zemaj, AAK-Nisma, Time Kadriaj, Lista Serbe ka propozuar deputetin, Branisllav Nikoliq etj.

Seanca ka këtë rend të ditës: Formimi i Komisionit të përkohshëm për verifikimin e kuorumit dhe të mandateve të deputetëve, betimi i deputetëve, zgjedhja e Kryetarit të Kuvendit dhe zgjedhja e nënkryetarëve të Kuvendit. 

LIVE| Filloi seanca e konstituimit të Kuvendit të Kosovës

Ka filluar seanca konstituive e Legjislaturës së IX të Kuvendit të Republikës së Kosovës, e dalë nga zgjedhjet e 9 shkurtit. Seanca po drejtohet nga deputeti më i vjetër, Avni Dehari (LVV) dhe deputetja më e re, Sala Jashari (PDK). Në sallë janë 119 deputetë.

RTK po transmeton program special dhe të gjitha zhvillimet që kanë të bëjnë me Kuvendin.

Deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje arrijnë në Kuvend

Deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje kanë arritur në Kuvend, për të marrë pjesë në seancën konstituive të Legjislaturës IX të Kuvendit të Republikës së Kosovës, e dalë nga zgjedhjet e 9 shkurtit. Mimoza Kusari-Lila, mohoi se është emër për kryeparlamentare. Duke hyrë në seancën konstituive, kryetari i VV-së, Albin Kurti, nuk ka komentuar nëse i kanë numrat për ta formuar qeverinë.

Bajrami: LDK nuk ka votë për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit

Deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami, tha se LDK nuk ka votë për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit të Kosovës. Ndryshe Hykmete Bajrami do të jetë shefja e re e Grupit Parlamentar të LDK-së. “Grupi parlamentar i LDK-së nuk ka ndërruar asnjë qëndrim, ne nuk do ta votojmë propozimin. Ne konsiderojnë që nëse Lëvizja Vetëvendosje ka propozim për emrin e kryetarit të Parlamentit, duhet t’i ketë edhe votat për ta votuar atë”, tha ajo.

(E plotësuar) Po bëhen të gjitha përgatitjet për mbajtjen e seancës konstituive e Legjislaturës së IX të Kuvendit të Republikës së Kosovës, e dalë nga zgjedhjet e 9 shkurtit.

Berisha: Do të votoj për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit

Kryetari i Partisë Liberale Egjiptiane, Veton Berisha, para seancës tha se do të votojë për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit të Kosovës.

“Akoma nuk kemi propozim për kryetar të parlamentit. Jam deputet i Kuvendit të Kosovës. Absolutisht për, sepse jemi për të ndërtuar institucione e pastaj shohim çfarë bëjmë. Si PLE nuk ka rëndësi emri për kryetar të kuvendit. Me rëndësi është ndërtimi i institucioneve”, ka theksuar ai.

Rashiqi konfirmon se do votojë pro formimit të Qeverisë Kurti

Kryetari i Partisë për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë, Nenad Rashiq, ka thënë se komuniteti serb do të jetë i përfaqësuar në qeverinë e re.

Po ashtu Rashiq konfirmoi se do votojë pro formimit të Qeverisë Kurti. “Po do të votoj sot edhe për qeverinë”, tha ai. Sipas tij përfaqësimi më adekuat në këtë moment është që partia më e madhe shqiptare me udhëheqë vendin në aspektin e kuvendit dhe qeveritar. 

Emilja Rexhepi rikonfirmoi përkrahjen për krijimin e Qeverisë së re.

Zëvendëskryeministrja në detyrë, Emilja Rexhepi, rikonfirmoi se do ta mbështesë votimin e Qeverisë së re.

“Patjetër që do ta votojë Qeverinë. Ne jemi pjesë e Qeverisë. Unë nuk e kam marrë atë ofertën që të jem ministre. Jemi pjesë e Qeverisë 3”, tha Rexhepi. Ajo është pyetur se a e ka marrë pozitën e ministres Duda Balje, Rexhepi u përgjigj. “Dikush prej boshnjakëve duhet të jetë. Unë nuk jam kundër. Këtë e vendos kryeministri”, tha Rexhepi.

Haradinaj: AAK do të kenë qëndrim të përbashkët me opozitën për qeveri

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, tha se si AAK do të kenë qëndrim të përbashkët me opozitën për qeverinë, kurse sa i përket zgjedhjes së kryetarit të Kuvendit nuk do bëjë pengesa.

“Kemi deklaruar dje se ne mbesim me qenë në princip që me u konstitua kuvendi, mirëpo do të marrim qëndrim të përbashkët me opozitën,  sa i përket për zgjedhjen për kryetar të kuvendit, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës nuk do të bëjë pengesa”, tha ai.

Limaj ka uruar që sot të mund të bëhet konstituimi i Kuvendit të Kosovës.

Kryetari i Nismës, Fatmir Limaj pak minuta më parë ka arritur në Kuvendin e Kosovës. Limaj është pyetur nga gazetarët nëse ka zhvilluar ndonjë takim me përfaqësues të Lëvizjes Vetëvendosje, por ka refuzuar të jepte ndonjë përgjigje. Megjithatë, Limaj ka uruar që sot të mund të bëhet konstituimi i Kuvendit të Kosovës.Limaj ka uruar që sot të mund të bëhet konstituimi i Kuvendit të Kosovës.

Hasani, PDK: Kemi thënë se nuk do ta votojmë Qeverinë Kurti

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Nait Hasani, ka arritur në Kuvendin e Kosovës për të marrë pjesë në seancën konstituive të kuvendit.

Ai u shpreh për media se është i vendosur që të mos e votojë Qeverinë Kurti. “Ne kemi thënë se nuk do ta votojmë Qeverinë Kurti,” ka deklaruar deputeti i PDK-së Hasani.

Do të mbahet seanca konstituive e Legjislaturës

Sot me fillim nga ora 10:00 do të mbahet seanca konstituive e Legjislaturës IX të Kuvendit të Republikës së Kosovës, e dalur nga zgjedhjet e 9 shkurtit. Seanca e sotme ishte caktuar me vendim të presidentes Vjosa Osmani .

Seanca ka këtë rend të ditës: Formimi i Komisionit të përkohshëm për verifikimin e kuorumit dhe të mandateve të deputetëve, betimi i deputetëve, zgjedhja e Kryetarit të Kuvendit dhe zgjedhja e nënkryetarëve të Kuvendit.

Ndryshe kryetari i Kuvendit dhe përfaqësuesit e subjekteve politike, në mbledhjen e fundit u dakorduan që konform Rregullores dhe praktikave të mëhershme, subjekti me numrin më të madh të deputetëve, përkatësisht Lëvizja Vetëvendosje, të ulet në ulëset e mesit të sallës plenare.

Në anën e djathtë të sallës, nga perspektiva e kryesuesit të seancës, do të ulet subjekti i dytë me radhë, Partia Demokratike e Kosovës, ndërsa në anën e majtë Lidhja Demokratike e Kosovës.

Në ulëset e tjera do të ulen deputetët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, deputetët nga radhët e komunitetit serb dhe komuniteteve të tjera joserbe.

Seanca do të drejtohet nga deputeti më i vjetër, Avni Dehari (LVV) dhe deputetja më e re, Sala Jashari (PDK). 

Deri dje deputetët e zgjedhur janë regjistruar në intervale të dnryshme kohore.


MË SHUME NGA Lajme