Lirohet Dardan Molliqaj
G.K/RTKlive
(E përditësuar) Kreu i PSD-së, Dardan Molliqaj, i cili u arrestua sot, është liruar pas dy orëve. Këtë e ka konfirmuar Bardh Ahmeti nga kjo parti, i cili shtoi se Molliqaj u lirua pasi u vërtetua se ai nuk kishte marrë ftesën për seancë dhe se nuk ishin dërguar shkresat e lëndës tek avokati i tij i autorizuar.
Ahmeti gjithashtu theksoi se Molliqaj u arrestua nga Njësia e Reagimit të Shpejtë të Policisë së Kosovës, një veprim që sipas tij ndodh rrallë dhe vetëm në raste kur janë të përfshira grupe kriminale. Ai theksoi se avokati i Molliqajt, Dren Kukaj, ka kontaktuar gjyqtaren dhe ka konfirmuar gatishmërinë e Dardanit për të marrë pjesë në seancë.
(17:16) Arrestohet Dardan Molliqaj, PSD: Presion politik
Partia Socialdemokrate (PSD) ka thënë se kryetari i saj Dardan Molliqaj, është arrestuar sot nga Njësia e Reagimit të Shpejtë e Policisë së Kosovës.
Përmes një reagimi zyrtar, PSD ka deklaruar se arrestimi i Molliqajt është bërë pa asnjë ftesë paraprake nga gjykata, ndonëse ai, sipas partisë, është në përditshmëri të rregullt dhe i qasshëm në çdo kohë.
“Ky arrestim është totalisht jashtë çdo racionaliteti. Përderisa nuk ka marrë as ftesë nga gjykata dhe në të njëjtën kohë çdo ditë është në rutinën e tij dhe mund të gjindet lehtësisht, kjo sjellje nuk mund të lexohet ndryshe përveç se presion politik dhe demonstrim force nga një njësi e krijuar për situata emergjente dhe të rrezikshme, jo për të ndaluar opozitën politike,” thuhet në reagimin e PSD-së.
“Prioriteti dhe zelli në të cilin janë vendosur anëtarët e PSD-së për 'shqyrtim rastesh' lë dyshime se kjo po ndodhë qëllimshëm, meqë një numër të madh rastesh e kanë së bashku me anëtarët e VV-së, duket që mësyrja është kryesisht ndaj PSD-së,” thuhet më tej.
PSD thotë se veprime të tilla nuk do ta ndalin aktivitetin e saj politik dhe opozitar.
“Arrestime të tilla nuk na ndalin, vetëm e bëjnë më të qartë për të gjithë kush ka frikë nga organizimi politik. Kërkojmë lirimin e menjëhershëm të Dardan Molliqajt,” përfundon reagimi.























