Hoti: Zgjedhja e Kryetarit të Kuvendit varet nga marrëveshja politike
BKT
Në Fokus

Hoti: Zgjedhja e Kryetarit të Kuvendit varet nga marrëveshja politike

M.M. /RTKlive

Profesor Afrim Hoti, duke komentuar situatën aktuale politike në Kosovë, veçanërisht rreth konstituimit të Kuvendit, ka theksuar se në këtë moment nuk kemi të bëjmë me politikë të zakonshme, por me një krizë të theksuar të mosmarrëveshjeve politike. Ai ka shtuar se marrëveshjet politike janë elementët kyç për zgjidhjen e këtij problemi, të cilat, sipas tij, kanë munguar prej kohësh në vend.

Hoti, në “InfoPlus” në RTK, mori si shembull zgjedhjet presidenciale në SHBA, ku brenda pak muajsh u realizua transferimi i pushtetit, një proces që pati ndikim edhe në sistemin botëror. Ndërkaq, në Kosovë, pas disa muajsh, ende nuk është arritur të zgjidhet kryetari i Kuvendit.

“Ka dy mundësi, nuk ka rrugë të tretë. E para është zgjedhja e kryeparlamentarit ose kryetares nga subjekti fitues, nëse ka votat për ta realizuar këtë, dhe, nëse kjo nuk ndodh, atëherë domosdoshmërish kalojmë te mundësia e dytë, e cila në thelb kërkon një marrëveshje politike,” tha Hoti.

Ai theksoi gjithashtu se mund të mbahen seanca të tjera, por zgjedhja e kryetarit do të thotë marrëveshje të mëparshme politike mes subjekteve politike, të cilat do të mbështesin një nga kandidatët e propozuar.

Hoti, më tej, vuri në dukje se kandidatja aktuale e LVV-së nuk ka mbështetje nga opozita, ndërkohë që partia fituese nuk ka gjetur mekanizma për ta detyruar opozitën që ta mbështesë këtë kandidaturë.

“Pra, alfa dhe omega, si bibël dhe Kuran, në këtë proces është marrëveshja politike, e cila, që prej kohësh, i mungon Kosovës,” shtoi Hoti.


MË SHUME NGA Në Fokus