Kosova mposhtet nga Ishujt Faroe
BKT
Sport

Kosova mposhtet nga Ishujt Faroe

Uran Krasniqi / RTKLive

(E plotësuar, 21:55) Kombëtarja e Kosovës në hendboll ka pësuar humbje në Prishtinë ndaj Ishujve Faroe me rezultat 23:25, në kuadër të fazës kualifikuese për Kampionatin Evropian “Euro 2026”.

Ndeshja e zhvilluar mbrëmjen e së mërkurës ishte jetike për gjasat e Kosovës për kualifikim, por humbja i ka ulur dukshëm mundësitë për të vazhduar garën drejt Evropianit.

Kosova e ka nisur ndeshjen më mirë, duke e mbyllur pjesën e parë me epërsi 13:12. 

Megjithatë, në pjesën e dytë, Kosova ka pasur rënie, duke shënuar vetëm 10 gola kundrejt 13 të skuadrës mysafire. Ishujt Faroe përfituan nga gabimet e Kosovës dhe përmbysën rezultatin, duke e fituar ndeshjen me dy gola epërsi.

Kjo humbje ka pasoja të mëdha në renditjen e Grupit 6. Aktualisht, Kosova pozicionohet në vendin e katërt me vetëm 3 pikë pas pesë ndeshjesh (1 fitore, 1 barazim, 3 humbje), ndërkohë që Ishujt Faroe kryesojnë grupin me 7 pikë, të ndjekur nga Holanda me 6 dhe Ukraina me 4.

Përballjet e fundit zhvillohen të dielën: Holanda – Kosova dhe Ishujt Faroe – Ukraina.

Kosova shkon në pushim me epërsi kundër Ishujve Faroe

Kombëtarja e Kosovës në hendboll ka përfunduar pjesën e parë me epërsi minimale ndaj Ishujve Faroe, me rezultat 13:12.

Megjithatë, pas një pushimi prej dhjetë minutave, në dispozicion të skuadrave mbetet edhe një pjesëlojë, ku gjithçka është e hapur. 

Fitorja sonte do t’i hapte rrugë reale Kosovës drejt një kualifikimi dhe do ta mbante gjallë shpresën para përballjeve të fundit që zhvillohen të dielën: Holanda – Kosova dhe Ishujt Faroe – Ukraina.