Krerët e partive politike në Kosovë urojnë për zgjedhjen e Papës Leo XIV
BKT
Foto: AP
Lajme

Krerët e partive politike në Kosovë urojnë për zgjedhjen e Papës Leo XIV

G.K/RTKlive

Krerët e partive politike në Kosovë kanë reaguar pas zgjedhjes së Kardinalit Robert Prevost si Papa Leo XIV, duke e cilësuar këtë ngjarje si një moment historik për Kishën Katolike dhe për botën.

Memli Krasniqi, kryetar i Partisë Demokratike të Kosovës, ka theksuar se zgjedhja e Papës së ri shënon një moment të veçantë dhe historik për Kishën Katolike.

"Në emrin tim dhe të Partisë Demokratike të Kosovës, shpreh urimet më të përzemërta dhe të sinqerta për Ipeshkvinë e Kosovës, për besimtarët katolikë në vendin tonë, si dhe për gjithë komunitetin katolik në mbarë botën", ka shkruar Krasniqi.

Ai ka shtuar se shpreson që pontifikati i Papës Leo XIV të kontribuojë në hapjen e një epoke të re për paqen, shpresën dhe unitetin mes popujve.

Edhe Ramush Haradinaj, lider i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, ka shprehur urimet e tij për Papa Leo XIV, duke theksuar se udhëheqja e tij mund të sjellë paqe dhe drejtësi për të mirën e mbarë njerëzimit. Haradinaj ka shprehur gjithashtu dëshirën që nën drejtimin e Papës së ri, të realizohet njohja e Kosovës nga Selia e Shenjtë.

"Lutemi që udhëheqja e tij të jetë e bekuar me paqe dhe drejtësi, për të mirën e mbarë njerëzimit dhe për një botë të bashkuar rreth vlerave të paqes", ka shkruar Haradinaj.

Përveç liderëve të partive politike, edhe kryeministri në detyrë Albin Kurti, presidentja Vjosa Osmani dhe Ipeshkvi i Kosovës, Imzot Dodë Gjergji, kanë shprehur urimet e tyre për zgjedhjen e Papës Leo XIV.


MË SHUME NGA Lajme