Socialistët festojnë, Rama: Shqiptarët na besuan më shumë se kurrë
rtsh
Socialistët në Shqipëri janë mbledhur në sheshin ‘Skënderbej’ për të festuar fitoren e madhe të arritur në zgjedhjet parlamentare të 11 majit 2025.
Rama, në fillim të fjalës së tij theksoi se “socialistët u rikthyen sërish në këtë shesh 33 ditë më pas nga dita kur bashkë me gratë dhe vajzat komando në të 12 qarqet, për mbledhur çfarë mbollëm për 4 vite me radhë në mendjen dhe zemrat e shqiptarëve”.
“Për 30 ditë shqiptarët dëgjuan, vlerësuan dhe më 11 maj ata vendosën të na e besojnë ne, PS-së, mandatin e katërt. Na besuan më shumë se asnjëherë më parë për një sfidë me të madhe se 4 vite më parë. Për 4 vite ne mbollëm më shumë besim te Shqipëria ndaj mblodhën edhe më shumë shpresë e rezultat, për Shqipërinë Evropiane, një votë referendare për Shqipërinë që do anëtarësohet në BE. Po ndërtojmë Shqipërinë evropiane gur pas guri”, tha Rama.
Sipas tij, mes dritës së Evropës dhe errësirës së gropës së një kapele fake, Shqipëria zgjodhi dritën.
“Mes zërit tonë e një radio të vjetër, Shqipëria zgjodhi korin tonë. Faleminderit Shqipëri. Në kujtesën time kjo fjalë fitoreje ka qenë më e vështirë për ta thënë se çfarë është për mua kjo fitore”, deklaroi Rama.
Kryeministri, në fjalën e tij, e cilësoi fitoren si historike, jo thjeshtë për përmasat që mori në favor të PS-së, por edhe për faktin se kjo fitore vjen edhe në një moment të rëndësishëm për vendin.
Kreu i qeverisë shprehu falënderimet për të gjithë mbështetësit, diasporën, por edhe për të gjithë ata që këtë herë i dhanë votën PS-së, edhe pse nuk janë tradicionalisht mbështetës të saj.
“Është e pamundur të arrij të them me gojë gjithçka që ndjej e mendoj prej orësh të gjata, përballë një arritjeje të tillë , e cila është historike jo thjesht për përmasën për PS-në, por edhe për momentin historik kur kjo fitore mori jetë për Shqipërinë. S’ka fjalë të mjaftueshme për të falënderuar dhjetëra e mijëra gra e burra, vajza e djem të familjes tonë politike që për 4 vjet me radhë shtruan me përpjekje durim e disiplinë dhe së fundmi për 9 muaj pa pushim, në çdo drejtim, jashtë kufijve ku jetojnë shqiptarët, rrugën e kësaj fitoreje të paharrueshme. Faleminderit për çdo zgjedhës që erdhi këtë herë me votën e tij drejt nesh edhe pse mund të mos jetë tradicionalisht me ne. Një falënderim krejt të veçantë dua ta bëj për shqiptarët e Greqisë, Italisë, SHBA e kudo tjetër, ku qoftë edhe një shqiptar i vetëm u regjistrua si zgjedhës. Ka qenë ushtrim i parë historik për nga fakti i herës së parë dhe fantastik për nga numri i pjesëmarrësve në raport me atë të regjistruar, një nga më të lartët nga votimet e diasporës në Evropë.”, u shpreh Rama.
Sipas tij, ky është mandati më sfidues i PS-së, që kur është në krye të PS-së, “mandat i fuqishëm sa nuk ka, e për të fituar një bast sa nuk ka.”
“Me Evropën për Shqipërinë dhe për Shqipërinë me Evropën. Fati që na përcaktoi profeti ynë kombëtar, heroi Gjergj Kastrioti që na e përcaktoi me shumë e shumë vite, mes baltës ngritjes dhe uljes, derisa patriotët shqiptarë të Rilindjes na e lanë me shkrim në shkabën dykrenare, mes mjergullave verbuese dhe kohëve të vështira, se dielli për ne lind andej nga perëndon dhe askund tjetër.“, tha Rama.























