Prishtina fiton Kupën e Kosovës
Uran Krasniqi / RTKLive
(E plotësuar, 21:59) Prishtina është fituese e edicionit të sivjetëm të Kupës së Kosovës në futboll, pasi e ka mposhtur Llapin me rezultat minimal 1-0 në finalen e zhvilluar në stadiumin “Fadil Vokrri” në kryeqytet.
Finalja është vendosur në pjesën e dytë, pasi pjesa e parë ka përfunduar pa gola, ndonëse të dyja skuadrat kanë pasur raste të mira për të shënuar.
Për Prishtinën afër golit kanë qenë Axel Gnapi dhe Leotrim Kryeziu, mirëpo portieri kroat i Llapit, Marijan Çoriq, ka qenë në formë dhe i ka ndalur me sukses tentimet.
Në anën tjetër, Arianit Hasani ka rrezikuar për Llapin, por pa mundur ta mposhtë portierin Agron Kolaj.
Momenti me peshë i ndeshjes ka qenë në minutën e pesëdhjetë e tetë, kur Llapi ka mbetur me një lojtar më pak në fushë pas përjashtimit me karton të kuq të Arbnor Ramadanit.
Vetëm dy minuta më pas, Prishtina ka kaluar në epërsi me një gol të bukur të Albin Krasniqit, i cili ka shënuar me një goditje të fuqishme jashtë zonës, duke përfituar edhe nga një devijim i lehtë i topit nga mbrojtësi Vokrri.
Kjo fitore jo vetëm që i sjell Prishtinës trofeun e Kupës, por gjithashtu i siguron klubit një vend në kualifikimet për garat evropiane.
Prishtina dhe Llapi mbyllin pjesën e parë pa gola
Pjesa e parë e finales së Kupës së Kosovës ndërmjet Prishtinës dhe Llapit është mbyllur pa gola, 0-0, në stadiumin "Fadil Vokrri" në kryeqytet.
Ndeshja përveç trofeut siguron një vend në kualifikimet për garat evropiane.
Prishtina synon ta rikthejë trofeun në kryeqytet, ndërsa Llapi synon edhe një trofe më shumë në koleksionin e vet.
Nëse rezultati mbetet i barabartë, ndeshja do të shkojë në vazhdime, e më pas, nëse është e nevojshme, në penallti.























