Kallas për RTK: Përgjegjësit e sulmit në Banjskë të dalin para drejtësisë
Intrevistoi: Xhevdet Sfarça
Përfaqësueses së Lartë të BE-së, Kaja Kallas, ka folur ekskluzivisht për Radiotelevizionin e Kosovës. Ajo ka thënë, mes tjerash, se popujt e Ballkanit duhet ta lënë të kaluarën prapa dhe të shohin para, drejt integrimit.
Sa i përket lidhjes së afërt që presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, ka me Moskën dhe Putinin, Kallas tha se këtë ia ka thënë edhe atij në Beograd. Veç kësaj, ajo i ka kërkuar që përgjegjësit e sulmit në Banjskë të dalin para drejtësisë.
RTK: Mirë se erdhët! Pyetja e parë, zonja Përfaqësuese e Lartë, shoqëria dhe politikanët e Kosovës nuk mundën t’i fshihnin shpresat kur ju e morët këtë rol. Si do t’i shndërroni premtimet në vepra, duke ditur se ende janë pesë vende të BE-së që nuk e kanë njohur Kosovën?
Kaja Kallas: Sigurisht, siç thashë, jam e gatshme t'ia kushtoj energjinë dhe kohën time këtij procesi. Mendoj se çfarë është i rëndësishëm është edhe bashkëpunimi nga ana e Kosovës. Pra, kemi një përfaqësues të ri special për dialogun Prishtinë-Beograd, dhe arsyeja pse po e them këtë është se normalizimi i marrëdhënieve midis të dyja vendeve është edhe pengesa që qëndron në rrugën e njohjes suaj nga ato vende. Nëse mund të dëshmojmë se po lëvizim në drejtimin e duhur dhe po bëjmë hapa drejt normalizimit, për ta lënë pas të kaluarën dhe për t'u përqendruar në të ardhmen e përbashkët, mendoj se kjo është e dobishme si për popullin e Kosovës, ashtu edhe për atë të Serbisë.
RTK: BE-ja ka thënë prej kohësh se Kosova dhe shtetet e Ballkanit Perëndimor i përkasin Evropës, por shpesh janë ndjerë se dera ka qenë gjysmë e mbyllur për to. Si mund t’i ktheni premtimet në vepra? Dhe si t'u tregojmë njerëzve këtu se ka ende shpresë për sa i përket integrimit?
Kaja Kallas: Epo, unë sigurisht që mund ta kuptojë zhgënjimin që ekziston këtu, sepse procesi ka qenë shumë i gjatë. Unë mendoj se ekziston kjo dritare e mundësive, kjo dritare e mundësve politike pikërisht tani, dhe ne duhet ta shfrytëzojmë momentin. Nëse mendoj për vendin tim, nga vij, Estonia, edhe ne e kemi pasur një dritare të shkurtër të mundësive, sepse më pas ajo është mbyllur përsëri. Dhe mendoj se, për shkak të luftës në Ukrainë, po ndodhin ndryshime tektonike dhe përshtypja në Evropë është se, nëse e shikoni hartën, Evropa është një kontinent shumë i vogël, ndërsa Ballkani Perëndimor është në mes të Evropës. Ne patjetër duhet ta realizojmë këtë proces të ribashkimit. Ne kemi nevojë për Ballkanin Perëndimor në Bashkimin Evropian aq sa ju keni nevojë për ne. Mendoj se ky është momenti i shkurtër dhe për këtë arsye u bëj thirrje të gjitha palëve që të bashkëpunojnë, sepse kjo dritare do të mbyllet përsëri.
RTK: Bashkimi Evropian e ka një dialog midis Kosovës dhe Serbisë në ndërmjetësim. Si e vlerësoni ngërçin aktual në zbatimin e marrëveshjeve, veçanërisht në lidhje me themelimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe? A besoni se Bashkimi Evropian duhet të ndërmarrë hapa më konkretë, apo çfarë tjetër mund të bëjë për të çuar procesin përpara?
Kaja Kallas: Siç thashë, e kemi një përfaqësues të ri special që është emëruar, z. Sorensen, i cili ka shikuar se cilat janë gjërat që po funksionojnë dhe cilat janë gjërat që nuk po funksionojnë në këtë proces. Por, tani për tani, ajo që është e rëndësishme është që ne ta kemi edhe një bashkëbisedues nga ana e Kosovës. Dhe me këtë dua të them se ju patët zgjedhje, por parlamenti duhet të bashkohet dhe ta formojë një qeveri funksionale. Në mënyrë që të mund t’i ndërmarrim këto hapa përpara. Ka shqetësime nga ana juaj dhe argumente nga ana e Serbisë, por ne duhet të ecim përpara me hapa të vegjël, por për këtë na duhet edhe dikush me të cilin mund të bashkëpunojmë vërtetë, dua të them, institucione, institucione funksionale.
RTK: Bisedimet e udhëhequra nga BE-ja midis Kosovës dhe Serbisë kanë ngecur. Dhe shumë në Kosovë mendojnë se procesi është i padrejtë, për shkak se Serbia refuzon ta njohë pavarësinë e Kosovës dhe nuk i respekton asnjë nga paragrafët e marrëveshjes së fundit. Çfarë hapash konkretë do të ndërmerrni për ta rikthyer besimin në BE-në si partner i drejtë dhe ndoshta për t’i hequr sanksionet ndaj Kosovës?
Kaja Kallas: Së pari, kur takohem me përfaqësuesit e Kosovës, ata i kanë të gjitha akuzat në lidhje me Serbinë, ndërsa kur takohem me bashkëbiseduesit e Serbisë, ata i kanë të gjitha kritikat në lidhje me Kosovën.
RTK: Por ju me gjasë e keni pikëpamjen tuaj.
Kaja Kallas: Po, do të mbërrij aty. Pra, pikëpamja ime është: Po i dëgjoj të dyja palët. Të dyja kanë disa argumente dhe kritika të vlefshme, por mendoj se duhet ta lëmë pas të kaluarën. Çfarë mund të bëjmë për t’u fokusuar në të ardhmen? Sepse këto akuza ndaj njëri-tjetrit nuk ndihmojnë aspak. Në rregull, cilat janë pengesat, por si mund t'i kapërcejmë ato? Pra, siç e kam premtuar ose siç kam propozuar, sapo Kosova të ketë një qeveri të bashkuar, ne duhet të ulemi në një nivel vërtet të lartë dhe t’i shqyrtojmë shqetësimet, sepse vërtet po përpiqemi ta kapërcejmë këtë pengesë. Është në interes të popullit të Kosovës, sepse prosperiteti që ka ngecur. Do të ishte shumë më e lehtë t'u ndihmojmë vërtet njerëzve këtu në të gjitha aspektet nëse do ta kishim një normalizim të këtij procesi. Sapo kam ardhur nga Serbia. I pata disa biseda vërtet të vështira atje për të njëjtën çështje dhe kjo gjithashtu do të thotë që t’i përfshijmë njerëzit, madje edhe të rinjtë, në këtë proces. U takova me të rinjtë dhe i pyeta nëse janë të gatshëm ta lënë pas të kaluarën? Sepse, siç e dini, kjo po e pengon të ardhmen tuaj aq sa po e pengon të ardhmen e Kosovës. I kam pasur disa diskutime vërtet të vështira dhe jam e gatshme t'i marr përsipër ato diskutime të vështira në mënyrë që t’i kapërcejmë pengesat.
RTK: Situata në veri të Kosovës mbetet e tensionuar, veçanërisht pas mbylljes së institucioneve që kanë vepruar sipas sistemit serb dhe të cilat po ashtu kanë qenë paralele. Cila është përgjegjësia e BE-së për të ndihmuar në normalizimin e situatës dhe rikthimin e besimit në terren?
Kaja Kallas: Epo, nëse e shikojmë marrëveshjen e Ohrit, atëherë ajo e ka një klauzolë në lidhje me këtë dhe, e tërë ideja është te integrimi i institucioneve serbe ose institucioneve të mbështetura nga Serbia në Kosovë. Pra, obligimet janë aty, sipas marrëveshjes së Ohrit, dhe ato duhet të përmbushen. Këtë po e theksoj edhe unë. Por mendoj se ajo që është e rëndësishme është se të gjitha partitë politike kanë deklaruar se Bashkimi Evropian është e ardhmja e Kosovës, dhe ju të gjithë e mbështesni shumë Bashkimin Evropian. Mendoj se mbi 90% e njerëzve këtu e kanë mbështetur Bashkimin Evropian. Pra, merreni këtë si qëllim dhe, e kuptoj që politikisht është e vështirë, sepse njerëzit kanë edhe pyetje dhe ndoshta ndonjëherë është politikisht tunduese që të luash me ndjenjat e njerëzve, por në të njëjtën kohë kur e dini se qëllimi juaj është që hyni në Bashkimin Evropian dhe se duhet t'i kapërcejmë këto pengesa, atëherë le ta ndajmë këtë përgjegjësi në të gjithë spektrin politik, që do të thotë ato parti që janë në qeveri, që do të jenë në qeveri, por edhe ato që janë në opozitë. Do t'jua jap një shembull. Estonia ishte në të njëjtën situatë në fakt. Dhe për anëtarësim në Bashkimin Evropian na janë kërkuar disa reforma vërtetë të vështira. Por kërkohet edhe mendësinë e të gjithë popullit se duhet ta bëjmë këtë, sepse është më mirë për vendin tonë, për popullin tonë, pavarësisht se a je në opozitë apo në koalicion. Dhe i dolëm. E pastaj, mund t’i zhvilloni të gjitha betejat që dëshironi, sepse keni parti të ndryshme politike. Njëra thotë se duhet të kemi taksa më të ulëta, tjetra thotë kosto më të larta sociale, apo çfarëdo qoftë. Kjo është normale në demokraci. Por tani për tani, nëse e keni një fokus dhe një qëllim kaq të qartë, atëherë kërkohet që të gjitha partitë politike të përqendrohen në atë qëllim, ta arrijnë atë e pastaj mund të vazhdoni me betejat normale demokratike.
RTK: Sapo erdhët nga Beogradi, dhe tani në Prishtinë, jeni takuar me Vuçiqin. Cili është mendimi juaj për faktin që Vuçiq është i afërt me Moskën dhe Putinin më shumë se me Brukselin, që e mbështet hapur një grup terroristësh që e sulmuan veriun e Kosovës në shtator të vitit 2023 dhe që e mban personin kryesor që ka qëndruar pas atij sulmi, Milan Radojçiç, të lirë në Serbi?
Kaja Kallas:Para së gjithash, e pata një diskutim shumë të hapur dhe të sinqertë me Presidentin Vuçiq edhe për udhëtimin e tij në Putin dhe në Moskë dhe për faktin se si unë nuk e kuptoj këtë. Ai e shpjegoi pikëpamjen e tij. Kështu që ia bëra shumë të qarta qëndrimet e mia, dhe i kamë bërë ato të ditura edhe publikisht. Tani, sa i përket përgjegjësisë, e ngrita edhe këtë çështje dhe u premtua se njerëzit që janë përgjegjës për ato sulme do të mbahen përgjegjës. Duhet të shohim se si do të shkojnë këto procese.























