Ndërron jetë publicisti Artan Lame në moshën 58-vjeçare
RTKlive
Ka ndërruar jetë, Artan Lame, ish-drejtues i Kadastrës dhe një nga figurat më të njohura në mbrojtjen e trashëgimisë kulturore shqiptare. Ai po trajtohej, në Gjermani, pas një ndërhyrjeje të vështirë në zemër dhe ra në komë cerebrale.
Lame ka mbajtur disa poste publike si zv.ministër i Turizmit, nënkryetar i Bashkisë Tiranë dhe drejtor i ALUIZNI-t dhe Kadastrës. Po ashtu, ai ishte publicist, studiues dhe koleksionist i njohur, i dekoruar me “Medaljen e Mirënjohjes” dhe çmime ndërkombëtare për veprat e tij, raporton RTSH.
“Të nderuar shokë, miq dhe dashamirës. Nuk më bën dora të shkruaj për humbjen e të shtrenjtit, djalit tim të dashur Artan Lame. Po ky moment i mallkuar erdhi dhe më shoi atë shpresë që m’u ngjall dje. Shpresoja, sepse më premtoi që do kthehej, “….nuk e kam mendjen te e nesërmja (që do operohej) jam mirë, jam i qetë, por po përqendrohem te Muzeu.” Edhe nga gjumi ta zgjoje për Muzeun fliste. Kur Tanin të ma sjellin këtu do t’ju bëjmë të ditur procedurat e mëtejshme,” shkroi Diana Lame, e ëma e të ndjerit, në rrjetin social Facebook.
Familjarët e tij kanë ndarë mesazhe të ndjera në rrjetet sociale. Trupi i të ndjerit pritet të kthehet në Shqipëri.























