Disa fëmijë dyshohet se janë helmuar nga ushqimi në një kopsht në Shqipëri
RTSH
Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në Gramsh ku disa fëmijë të kopshtit publik të këtij qyteti dyshohet se janë helmuar nga ushqimi me përmbajtje salmonele.
Ngjarja ka ndodhur në fillim të kësaj jave, ku disa fëmijë janë paraqitur me shqetësime dhe të vjella në spitalin e qytetit, ndërsa analizat laboratorike kanë treguar se ata janë helmuar.
Ashtu siç raporton korrespondenti i RTSH-së, Enes Memolla, analizat kanë treguar prani të bakterit salmonelë dhe paraprakisht dyshohet se helmimi ka ardhur nga ushqimi që fëmijët kanë konsumuar në kopshtin shtetëror.
Në lidhje me ngjarjen drejtoresha e institucionit Greta Lena bën me dije se në spital janë paraqitur fëmijë që kanë konsumuar ushqim me përmbajtje me salmonelë, por situata është nën kontroll dhe jo siç paraqitet në disa rrjete sociale që shkruajnë për 70 fëmijë të prekur.























