Aston Villa mposhtet nga United dhe mbetet pa Champions League
Uran Krasniqi/RTKLive
Manchester United e ka përmbyllur sezonin me një fitore të pastër 2:0 ndaj Aston Villa në “Old Trafford”, duke i shuar shpresat e mysafirëve për një vend në Champions League.
Kjo ishte fitorja e dyzet e një e “Djajve të Kuq” ndaj Villa në histori të Premier League.
Skuadra e Ruben Amorim, ende e zhgënjyer pas humbjes në finalen e Europa League në mesjavë, ka hyrë në ndeshje me synimin për të siguruar pjesëmarrjen në elitën evropiane, por Manchester United ka qenë dukshëm më i motivuar dhe më i organizuar.
Qysh në fillim, Mason Mount ka pasur dy raste të mira për të kaluar United në epërsi, por portieri Emiliano Martinez ka qenë në vend. Pak minuta më pas, edhe Bruno Fernandes dhe Amad Diallo kanë provuar, por pa sukses.
Dominimi i United ka vazhduar edhe pas daljes së Mazraoui për shkak të lëndimit, me Diogo Dalot që ka goditur shtyllën, ndërsa Hojlund dhe Heaven nuk kanë arritur ta shfrytëzojnë topin e rikthyer.
Megjithatë, gabimi fatal ka ardhur nga mbrojtësi i Villa, Matty Cash, që ka dhuruar një top të gabuar te Rasmus Hojlund. Sulmuesi danez ka depërtuar drejt portës dhe është ndalur në mënyrë të palejuar nga Martinez, i cili është ndëshkuar me karton të kuq.
Në pjesën e dytë, United ka vazhduar me presion, me Hojlund që ka shënuar një gol të anuluar për pozitë jashtë loje dhe Casemiron që ka goditur shtyllën. Villa e ka provuar të befasojë kur Morgan Rogers ka realizuar pas një gabimi të portierit Altay Bayındir, por gjyqtari e ka anuluar për faull në aksionin paraprak, vendim që ka shkaktuar zemërim te trajneri Unai Emery.
Vetëm pak minuta më vonë, Bruno Fernandes ka asistuar për Amad Diallo, i cili ka shënuar me kokë në këndin e largët për 1:0. Pak para fundit, Ian Maatsen ka shkaktuar penallti ndaj të njëjtit, Diallo, dhe Christian Eriksen, që do të largohet nga klubi në verë, ka realizuar për 2:0, duke mbyllur takimin.
Për Aston Villën ky ishte një fund dramatik, që i kushton me humbjen e vendit në Champions League, duke përfunduar në pozitën e gjashtë në Premier League.























