Spiropali shpërndan dhurata për fëmijët në Shërbimin e Pediatrisë në Tiranë
rtsh
Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Elisa Spiropali, në kuadër të shënimit të 1 Qershorit, Ditës Ndërkombëtare të Fëmijëve, zhvilloi këtë të premte një vizitë të veçantë pranë Shërbimit të Pediatrisë në Tiranë. Spiropali mori pjesë në aktivitetin e organizuar për fëmijët si dhe takoi disa prej tyre dhe personelin mjekësor që kujdeset për ta.
Kryeparlamentarja u shpreh se shëndeti dhe mirëqenia e fëmijëve duhet të jenë gjithmonë prioritet i institucioneve dhe shoqërisë, duke theksuar rëndësinë e mbështetjes për familjet nga sistemi shëndetësor.
Edhe drejtoresha e Përgjithshme e QSUT, Prof. Dr. Donjeta Bali, u shpreh se forca dhe energjia që japin fëmijët në kushte spitalore sjellin dritë dhe optimizëm dhe na japin forcë të përballemi me sfidat e përditshme. Ajo tregoi se në Shërbimin e Pediatrisë ka mjedise ku fëmijët që kanë nevojë për qëndrim më të gjatë zhvillojnë mësim në klasat digjitale.
Shërbimi i Pediatrisë së Specialiteteve ka një kapacitet prej 140 shtretërish dhe 17 poltronë për pacientë që kanë nevojë për terapi ditore.
Në këtë aktivitet, nën një atmosferë festive, u shpërndanë edhe dhurata për fëmijët në kuadër të 1 Qershorit, Ditës Ndërkombëtare të Fëmijëve.























