Përfundon operacioni policor `Qielli i thyer`, arrestohen 22 persona
Sh.Ç /RTKlive
(E plotësuar) Pas një hetimi disa mujor, të martën është realizuar operacioni anti-drogë “Qielli i Thyer”, në bazë të urdhrit të Gjykatës Themelore në Prishtinë, me kërkesë të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës.
Prokuroria Speciale ka njoftuar se angazhimi dhe puna e koordinuar, e Drejtorisë për Hetimin e Trafikimit me Narkotikë dhe PSRK-së, ka rezultuar me shkatërrimin e një grupi të krimit të organizuar të trafikimit me narkotikë, ku janë arrestuar 22 persona, transmeton Telegrafi.
Sipas njoftimit, personat janë arrestuar nën dyshimet për kryerjen e veprave penale “krim i organizuar”, në lidhje me trafikimin e narkotikëve dhe pastrimit të parave. Veprat penale, të pandehurit dyshohen se i kanë kryer përmes aplikacionit “SkyECC”.
Aksioni është zhvilluar në rajonin e Prishtinës, Prizrenit, Pejës dhe Gjilanit.
Në njoftim thuhet se në aksion kanë marrë pjesë rreth 600 zyrtarë të Policisë së Kosovës, të cilët në mënyrë të koordinuar kanë asistuar në bastisjen e 47 lokacioneve, dhe arrestimin e personave të dyshuar.
“Gjatë realizimit të urdhër kontrollit në këto lokacione është gjetur dhe sekuestruar sasi e konsiderueshme e provave materiale, dhe pasurive të specifikuara duke përfshirë: lëndë narkotike, 129 vetura, 134 e 900 mijë para të gatshme, 20 mijë e 40 franga zvicerane, 490 dollarë, 13 mijë euro para të falsifikuara, 9 orë dore të markave të njohura, 36 armë të llojeve të ndryshme, 1569 fishekë të ndryshëm, 1292 copë municione të ndryshme, një prese për paketimin e heroinës dhe kokainës, laptopë, telefona, usb dhe dokumente të ndryshme”, thuhet në njoftimin e policisë.
Po ashtu, theksohet se janë ngrirë mjete në llogari bankare në vlerë prej 400 mijë euro, dhe janë vënë nën urdhër ndalues të gjitha paluajtshmëritë e të pandehurve në këtë rast.
Operacioni i koduar “Qielli i Thyer”, është përkrahur nga autoritetet e Belgjikës, Holandës, Europol-it, dhe është udhëhequr nga Prokurori i PSRK-së, i cili ka qenë prezent gjatë realizimi të urdhër kontrollit.
Sipas njoftimit, ky operacion është rezultat i një hetimi të gjatë kundër grupeve të krimit të organizuar që janë marrë me trafikimin ndërkombëtar të narkotikëve, pastrimin e parave dhe formave të tjera të krimit të organizuar.
Prokurorët e Prokurorisë Speciale, në koordinim të plotë me hetuesit policorë kanë qenë të përkushtuar në vazhdimësi për shkatërrimin e këtij grupi të organizuar kriminal
PSRK, dhe Policia e Kosovës siguron qytetarët e Republikës së Kosovës, se asnjë aktivitet kriminal nuk do të tolerohet në komunitetin tonë, duke theksuar angazhimin në luftimin dhe parandalimin e këtyre veprave penale, dhe vënien para përgjegjësisë të atyre që e shkelin ligjin.
Katër të arrestuar në aksionin kundër narkotikëve
Një aksion i gjerë policor është duke u zhvilluar nga orët e hershme të mëngjesit në disa qytete të Kosovës, me qëllim goditjen e rrjeteve të trafikimit të narkotikëve.
Operacioni po realizohet nga njësitet për hetimin e narkotikëve në bashkëpunim me Prokurorinë.
Gjatë këtij aksioni janë arrestuar katër persona të dyshuar për përfshirje në veprimtari të ndaluara që lidhen me substanca narkotike. Raportohet se të arrestuarit janë: P.N, S.L, si dhe dy vëllezërit E.V dhe A.V nga Peja.
Policia e Kosovës aksion kundër drogës dhe krimeve kibernetike
Policia e Kosovës ka nisur një operacion në tri rajone kundër trafikimit me substanca narkotike dhe krimeve kibernetike.
Policia e Kosovës, ka njoftuar se pas një pune operative dhe hetimore, nga zyrtarët e Departamentit të Hetimeve të Policisë së Kosovës, nën autorizimin e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, sot në orët e hershme të mëngjesit është realizuar një operacion i suksesshëm policor.
"Gjatë këtij operacioni policor janë kryer kontrolle në tri rajone të Kosovës që përfshijnë një numër të konsiderueshëm të lokacioneve të ndryshme, kundër trafikimit me narkotik dhe krimeve kibernetike”, thuhet në njoftimin e policisë.
Polica ka theksuar se të gjitha veprimet e mëtejme do të ndërmerren në bashkëpunim dhe koordinim me organet e drejtësisë, ndërsa detajet tjera do të bëhen pas kompletimit të operacionit.























