Pas barazimit, lojtarët e kombëtares së Shqipërisë kërkojnë fitore me Leton
BKT
Sport

Pas barazimit, lojtarët e kombëtares së Shqipërisë kërkojnë fitore me Leton

Sh.Ç /RTKlive

Disa nga futbollistët e kombëtares së Shqipërisë, pas ndeshjes kanë thënë se në ndeshje kishte më tepër presion e emocione. Ata janë shprehur të kënaqur me lojën dhe kanë thënë se kanë pasur raste të mira për të shënuar gol dhe për të fituar.

Kapiteni i Shqipërisë, Berat Gjimshiti, ka thënë se është shumë i lumtur me ndeshjen e treguar nga futbollistët në barazimin pa gola të shtunën me Serbinë në “Air Albania” në Tiranë. 

Sipas tij, ka mundur të rrezikohet më tepër, por ka pranuar se në ndeshje kishte më tepër presion e emocione. 

“Zhvilluam një ndeshje të mirë, e marrim këtë pikë e shkojmë para. Mund të rrezikosh pak më shumë të shkosh para, por në këto ndeshje ka shumë presion, tension e emocione. Sigurisht nuk dëshiron të gabosh. Jam shumë i lumtur për ekipin për ndeshjen që ka zhvilluar sot”, ka deklaruar Gjimshiti. 

Kurse, sulmuesi Mirlind Daku ka thënë se është ndier shumë mirë dhe dëshira e madhe për të luajtur e ka bërë të harrojë lëndimin që ka pasur.

“Po të ishim më syhapur do të shënonim fitore. E dhamë atomin e fundit në ndeshje, ishte e gjitha që patëm mundësi kësaj radhe. Gjithçka është e hapur. E kemi një ndeshje me rëndësi pas tri ditëve kundër Letonisë, besoj se duhet bërë çmos ta fitojmë. Do të luftojmë për objektivin me arrit në Botëror, që është ëndërr që patjetër duhet me realizu”, ka theksuar Daku. 

Edhe sulmuesi i krahut, Arbër Hoxha ka thënë se Shqipëria ka pasur rast të fitojë ndeshjen ndaj Serbisë.

“Ishte ndeshja emocionale. Mendoj se ishte ndeshje e mirë, kishim rast të fitonim. Dhamë maksimumin. Të koncentrohemi në ndeshjen e radhës, jemi në lojë për ta arritur kualifikimi”, ka thënë Hoxha. 
Pas ndeshjes, Myrto Uzuni, ka folur për barazimin pa gola me Serbinë, në ndeshjen e Grupit K kualifikues për Kupën e Botës 2026.

“Jam i kënaqur që u futa në lojë. Ne donim të fitonim, por duhet të jemi krenar për gjithë ekipin, sepse dhamë shpirtin në fushë. Asnjë lojtar nuk do të donte të ishte në pozitën e Manajt. E ka përjetuar keq atë moment sepse ishte me peshë. Bëri lojë të jashtëzakonshme, njësoj si Broja e Hoxha. Në stërvitje, Manaj e unë i shënuam gjithë penalltitë. Tani Letonia është kundërshtare e fortë. Nuk ka kundërshtar të lehtë. Për ne është e rëndësishme ta fitojmë ndeshjen e radhës”, ka thënë Uzuni.

E mbrojtësi i krahut të djathtë, Elseid Hysaj, ka thënë se ai dhe lojtarët e tjerë të ekipit, kanë dhënë çdo gjë nga vetja në ndeshjen me Serbinë. 

Shqipëria barazoi të shtunën pa gola me Serbinë në “Air Albania”.