Spiropali në AP të NATO-s: Mbështetje të plotë dhe pa rezerva ndaj Ukrainës
ATSH
Kryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali, konfirmoi sot mbështetjen e plotë dhe pa rezerva të Shqipërisë ndaj Ukrainës.
Spiropali iu drejtua me një fjalë Asamblesë Parlamentare të NATO-s, zhvilluar në Parlamentin e Belgjikës, në Bruksel, në prag të samitit të NATO-s.
“Shprehim mbështetjen tonë të plotë dhe pa rezerva ndaj Ukrainës. Ne si aleatë nuk duhet të qëndrojmë si vëzhgues pasiv”, u shpreh ajo.
Kryetarja e Kuvendit nënvizoi se “Shqipëria pa asnjë mëdyshje ka dënuar këtë agresion dhe i është bashkuar të gjitha masave në solidaritet me Ukrainën, përfshi sanksionet, ndihmën ushtarake dhe mbështetjen humanitare”.
“Personalisht pata nderin pak ditë më parë të marrë pjesë në samitin Ukrainë-Evropa Juglindore mbajtur në Odesa për të përsëritur edhe njëherë mbështetjen tonë të plotë dhe pa rezerva ndaj Ukrainës, por edhe për të parë nga afër realitetin e vështirë të jetës nën kërcënimet e vazhdueshme si dhe në thirrjen për të ndaluar kjo luftë brutale dhe për një paqe të drejt dhe të qëndrueshme”, theksoi ajo.
Po ashtu, Spiropali theksoi se “përshkallëzimi ushtarak së fundmi mes Iranit dhe Izraelit vetëm e rëndon më shumë një botë të trazuar që tashmë është nën trysni të madhe”.























