Dështon sërish konstituimi i legjislaturës së nëntë|VIDEO
V.S & A.B / RTKlive
(E plotësuar, 11:33) Për herë të 39-të ka dështuar përpjekja për konstituimin e legjislaturës së nëntë të Kuvendit të Republikës së Kosovës.
Kryesuesi i seancës, Avni Dehari, kërkoi sërish sot nga subjektet politike parlamentare të cilat nuk i kanë propozuar emrat për anëtarë të komisionit për votim të fshehtë për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit që ta bëjnë këtë, por propozime nuk pati as kësaj here nga PDK, LDK, AAK dhe Lista Serbe. Nga deputetët 95 që ishin në sallë, 53 votuan për, kundër dhe abstenim nuk pati.
Ndryshe nga herë të tjera në foltore kur iu kërkua partive politike t’i propozonin emrat e anëtarëve pë komision, deputetja e PDK-së, Vlora Çitaku mori fjalën derisa kërkoi nga kryesuesi t’i kthehet rendit të ditës, duke thënë se Dehari po abuzon e po e shkelë Kushtetutën.
“Të nderuar kolegë deputetë, sot me vetëdije të plotë kryesuesi po abuzon dhe po e shkelin kushtetutën. Kjo sjellje është e papranueshme. Ju lutem kthejuni rendit të ditës, kjo është shkelje, është abuzim”, tha ajo.
“Ju lutem sigurimi, ndërpriteni” , dëgjohej kryesuesi Dehari, “Ju lutem le të ndërpritet, sigurimi le ta ndërpresë, regjia le ta ndërpresë” , tha kryesuesi, teksa shihet të debatonte edhe me deputeten më të re të ulur afër tij, Sala Jashari qe vjen nga PDK-ja.
Pas Çitakut, fjalën e mori Hykmete Bajrami nga LDK-ja, por edhe asaj iu ndërpre fjalimi.
“I nderuar zotri Dehari, kthejuni rendit të ditës”, dhe pas thirrjes së kryesuesit, regjia i ndërpret fjalën asaj në foltore.
Ndërsa, Time Kadrijaj e AAK-së e i quajti shkelës të Kushtetutës.
Seanca tjetër mbahet pas 48 orësh, më 1 korrik në ora 11:00.
Përpjekje tjetër për konstituimin e Kuvendit të Kosovës|LIVE
Sot sërish mblidhen deputetët e Kuvendit të Kosovës në përpjekjen e radhës për konstituimin e legjislaturës së 9-të.
Ndryshe të premten Kuvendi i Republikës së Kosovës u mblodh në vazhdimin e radhës të seancës konstituive të Legjislaturës së Nëntë.
Në hapje të vazhdimit të seancës kryesuesi Avni Dehari ftoi përfaqësuesit e subjekteve politike për një konsultë, pas aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese.
Pas takimit konsultativ, kryesuesi Dehari njoftoi deputetët se përfaqësuesit e të gjitha subjekteve politike në takim ishin të mendimit që të ndërpritet vazhdimi i seancës.
“Pasi të mbahet të shtunën takimi i liderëve politikë, i ftuar nga subjekti më i madh, të vazhdojmë seancën më 29 qershor, në orën 11:00”, theksoi kryesuesi Dehari.
Takimi i thirrur nga kryeministri në detyrë dhe lideri i VV-së, Albin Kurti, me krerët e partive politike, përfundoi pa ndonjë marrëveshje për tejkalimin e krizës institucionale.
Deklaratat pas takimit dëshmuan se dalja nga ngërçi politikë duket ende e largët edhe pas aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese.
Kreu i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, tha se ka ofruar dy opsione kompromisi në takim.
Kreu i PDK-së, Memli Krasniqi ka thënë se vetë mbajtja e takimeve është pozitive, por se sipas tij “më pozitive do të ishte nëse Kurti do ta kuptonte që përgjegjësia e tij është më e madhe se e të gjithëve, dhe se vetëm atij dhe grupit më të madh parlamentar aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese i ka dhënë detyrim për të gjetur konsensus ose kompromis”.
Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku tha se “takimi ishte më tepër farsë publike se sa substancial”, pasi sipas tij qëndrimet e Kurtit ishin pak a shumë të njëjta.
Deputetja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Time Kadrijaj, tha se Lëvizja Vetëvendosje nuk ka pranuar asnjë ofertë të partive parlamentare që ishin deri tash në opozitë, për dalje nga ngërçi në Kuvend.
Fatmir Limaj, kryetar i Nismës Socialdemokrate, ka thënë se takimi i liderëve partiakë më shumë ka qenë rreth këndvështrimeve për aktgjykimin sesa për zgjidhjen e situatës.
Bashëkryetari i Listës Guxo, Faton Peci, tha se në takim pati diskutime konstruktive nga disa akterë dhe u shpreh optimist se në javët në vazhdim do të ketë marrëveshje për konstituimin e Kuvendit.























