Dështon edhe përpjekja e 43-të për konstituim të legjislaturës së nëntë
RTKlive
( E plotësuar, ora 11:22) Për herë të 43-të ka dështuar përpjekja për konstituimin e legjislaturës së nëntë të Kuvendit të Republikës së Kosovës.
Edhe këtë herë kryesuesi i seancës, Avni Dehari kërkoi nga subjektet politike parlamentare të cilat nuk i kanë propozuar emrat për anëtarë të Komisionit për votim të fshehtë për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit që ta bëjnë këtë, por propozime nuk pati as kësaj here nga PDK, LDK, AAK dhe Lista Serbe.
Në votimin për Komisionin për votim të fshehtë nga 99 deputetët sa ishin në sallë, 55 votuan për, kundër dhe abstenim nuk pati.
Seanca vazhdon me 9 korrik nga ora 11:00.

Përpjekje e 43-të për konstituimin e Kuvendit të Kosovë/ LIVE
Sërish sot mblidhen deputetët e Kuvendit të Kosovës në përpjekjen e 43 për konstituimin e legjislaturës së 9-të.
Ndryshe seanca konstituive e Kuvendit, në vazhdimin e së shtunës filloi me njoftimin e kryesuesit Avni Dehari për telefonatën kërcënuese për një bombë në objektin e Kuvendit, gjatë paradites, e cila imponoi ndërprerjen e seancës të paraparë për orën 11:00 dhe thirrjen e saj për në orën 20:00, pas kontrolleve të kryera nga ekipi për deminimin e mjeteve eksploduese.
Tutje seanca vijoi me pikën e tretë të rendit të ditës, zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit.
Kryesuesi Dehari kërkoi serish nga subjektet politike që nuk i kanë propozuar emrat për anëtarë të komisionit zgjedhor për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit me votim të fshehtë (PDK, LDK, Lista serbe dhe AAK-NISMA), që ta bëjnë këtë.
Nga 74 deputetë të pranishëm në sallë, për përbërjen e komisionit, me anëtarët e propozuar në vazhdimet e kaluara të seancës votuan 39 deputetë, ndërsa kundër dhe abstenim nuk kishte.
Në mungesë të kuorumit për vendimmarrje, kryesuesi Dehari ndërpreu seancën, duke paralajmëruar vazhdimin e saj më 7 korrik, në orën 11:00.























