Rama në Vlorë, ndjek nga afër aksionin për lirimin e hapësirave publike
Pak ditë pas vizitës në Bashkinë e Vlorës dhe dorëheqjeve të 21 drejtorëve nga ky institucion, Kryeministri Edi Rama e ka nisur javën me një tjetër vizitë në qytetin bregdetar.
Rama ka mbërritur mëngjesin e kësaj të hëne (7 korrik) në bashkinë e Vlorës ku sikurse mësohet nga burime, po zhvillon një tjetër mbledhje me dyer të mbyllura me kryebashkiakun Ermal Dredha dhe deputetët e rinj të qarkut të Vlorës.
Sipas informacioneve, mësohet se Kryeministri do të ndjekë nga afër aksionin për lirimin e hapësirave publike, problem ky i ngritur jo pak herë gjatë javës që lamë pas nga Kryeministri.
Në këtë takim, kryeministri shoqërohej nga drejtuesi politik i PS për qarkun Vlorë, Bledi Çuçi dhe Ministri i Mbrojtjes Pirro Vengu.
Në një mbledhje me dyer të mbyllura të zhvilluar në Bashkinë e Vlorës katër ditë më parë, Kryeministri Edi Rama shfaqi rezerva për menaxhimin e qytetit të Vlorës nga Bashkia, ndërsa kërkoi ristrukturim total të këtij institucioni, duke përfshirë të gjitha drejtoritë. Ai kërkoi dorëheqjet e drejtorëve të drejtorive me varësi nga qendra, kërkesë që më pas u pasua me dorëheqjen e 21 drejtorëve.
Një ditë pas urdhrit të kryeministrit Edi Rama për lirimin e hapësirave publike nga zaptimet abuzive, në qytetin bregdetar të Vlorës nisi aksioni për lirimin e tyre. Po ashtu, u ngrit dhe një Task-Forcë për kryerjen e kontrolleve në të gjithë territorin e kësaj bashkie.























