Suedia mposht Gjermaninë, Polonia shijon fitoren e parë në një Evropian
RTKlive
Suedia dhe Gjermania kanë siguruar kualifikimin për në çerekfinale të Kampionatit Evropian për femra “Euro 2025”, pas ndeshjeve të fundit në Grupin C, që u zhvilluan të shtunën mbrëma.
Suedia mposhti bindshëm Gjermaninë me rezultat 4:1, ndërsa Polonia shënoi fitoren e parë në histori në një Kampionat Evropian, duke triumfuar 3:2 ndaj Danimarkës, por që së bashku me kundërshtarin e sotëm e përmbyllën aventurën në këtë Evropian.
Kombëtarja e Suedisë tregoi fuqinë e saj me një paraqitje dominuese ndaj Gjermanisë. Edhe pse gjermanet kaluan të parat në epërsi me golin e Jule Brand, suedezet reaguan shpejt dhe fuqishëm.
Stina Blackstenius barazoi rezultatin në pjesën e parë, ndërsa në të dytën Suedia shënoi edhe tre gola të tjerë: fillimisht Smilla Holmberg kaloi ekipin në epërsi, më pas Fridolina Rolfö realizoi nga penalltia pas një kartoni të kuq për Carlotta Wamser, ndërsa rezultatin përfundimtar 4:1 e vulosi Lina Hurtig.
Me këtë fitore, Suedia e mbyll Grupin C me 9 pikë të plota dhe e siguron vendin e parë. Gjermania, ndonëse u mposht thellë, kualifikohet si e dyta me 6 pikë.
Në përballjen tjetër të këtij grupi, Polonia arriti një fitore të rëndësishme dhe historike ndaj Danimarkës, me rezultat 3:2. Kjo ishte fitorja e parë ndonjëherë për Poloninë në një Kampionat Evropian për femra.
Natalia Padilla-Bidas realizoi golin e parë për polaket në minutën e 12-të, duke shënuar njëkohësisht edhe golin e parë në histori për Poloninë në këtë turne. Ewa Pajor e dyfishoi epërsinë, ndërsa Danimarka ngushtoi përkohësisht me golin e Janni Thomsen. Megjithatë, Martyna Wiankowska shënoi për 3:1 dhe siguroi fitoren, ndërsa goli i dytë danez erdhi në fund të takimit.
Me këtë fitore, Polonia e mbyll grupin në vendin e tretë me 3 pikë, kurse Danimarka largohet nga turneu pa asnjë pikë të fituar.
Për më shumë rreth Evropianit për Femra ndiqni linkun:























