Barcelona transferon talentin suedez si zëvendësues për Lamine Yamal
Uran Krasniqi / RTKLive
Barcelona ka arritur marrëveshje për transferimin e talentit nëntëmbëdhjetë vjeçar suedez, Roony Bardghji, duke synuar që ta përdorë si zëvendësues për yllin e ri të ekipit, Lamine Yamal.
Me këtë transferim, klubi katalanas synon ta lehtësojë ngarkesën e madhe që Yamal ka në skuadër, duke i mundësuar atij momente pushimi gjatë sezonit.
Bardghji, që konsiderohet si një nga talentët më premtuese të futbollit evropian, ka firmosur kontratë katërvjeçare me Barcelonën, deri në verën e vitit 2029. Ai vjen nga Copenhagen, ku është rritur dhe afirmuar si lojtar, duke fituar tre tituj kampioni të Danimarkës dhe dy kupa kombëtare.
I lindur në Kuvajt dhe me prejardhje siriane, Bardghji është rritur në Suedi, ku ka ndjekur karrierën si futbollist. Ai ka bërë debutimin profesional që në moshën gjashtëmbëdhjetë vjeçare dhe është bërë golashënuesi më i ri në historinë e kampionatit danez.
Barcelona e ka blerë këtë futbollist me synimin që fillimisht ai të luajë me ekipin e dytë, ndërsa njëkohësisht do të stërvitet me ekipin e parë. Në varësi të paraqitjeve të tij, Bardghji pritet të shndërrohet në një alternativë të vlefshme për repartin ofensiv të Hansi Flick.
I njohur për driblimet dhe qasjen ofensive në krahun e djathtë, Bardghji ka treguar potencial të madh në duelet një kundër një dhe në realizimin e golave. Në total me Copenhagen ai ka zhvilluar tetëdhjetë e katër ndeshje, duke shënuar pesëmbëdhjetë gola. Sezonin e kaluar ai pati një ndërprerje të karrierës për shkak të një lëndimi të rëndë në gju, por tashmë është rikthyer në fushë dhe konsiderohet plotësisht i gatshëm për sfidën e re në Barcelonë.
Vetë Bardghji ka deklaruar se ëndrra e tij është të bëhet futbollisti më i mirë në botë.























