Përfshihet nga zjarri një depo në Lipjan|Video
G.K. /RTKlive
Depoja qendrore e një rrjeti të supermarketeve në Kosovë është përfshirë nga zjarri në hyrje të Lipjanit.
Komandanti i zjarrfikësve në Lipjan, Sadri Shamolli, tha se njësitë e zjarrfikësve nga pesë komuna janë duke punuar për shuarjen e zjarrit.
Shamolli bëri të ditur se zjarri është shumë i madh dhe se ekipet janë duke u përpjekur të mbrojnë objektet e tjera përreth.
Ai tha për RTKlive se një zjarrfikës ka pësuar lëndime nga tymi gjatë ndërhyrjes. Ende nuk dihen shkaqet e zjarrit dhe as shkalla e dëmeve të shkaktuara.
Ndërkohë lidhur me rastin njoftoi edhe Policia e Kosovës.
“Sot rreth orës 16:30, kemi pranuar informacion për një incident zjarri në një objekt në rrugën Ibrahim Rugova në Lipjan. Menjëherë në vendin e ngjarjes kanë dalë policia dhe zjarrfikësit, të cilët po merren me rastin. Bazuar në të dhënat fillestare raportohet vetëm për dëme materiale", deklaroi Flora Ahmeti, zëdhënëse e policisë për rajonin e Prishtinës.























