Usyk dhe Dubois përballen më 19 korrik në Londër
Uran Krasniqi/RTKLive
Një meç i madh në botën e boksit do të zhvillohet më 19 korrik në stadiumin “Wembley” të Londrës.
Kampioni ukrainas Oleksandr Usyk do të përballet me boksierin britanik Daniel Dubois, në një luftë që do të vendosë se kush do të jetë kampioni i padiskutueshëm i botës në peshat e rënda.
Në këtë përballje do të jenë në lojë të gjithë titujt më të rëndësishëm botërorë të kësaj kategorie: WBA, WBO, WBC, IBF dhe titulli prestigjioz “The Ring”.
Usyk, i cili deri tani është i pamposhtur në njëzet e tri ndeshje profesioniste, kërkon ta mbrojë titullin. Nga ana tjetër, Dubois është më i ri në moshë dhe synon të hakmerret, pasi në përballjen e parë që pati me Usyk në vitin 2023, u mund me nokaut teknik në raundin e nëntë.
Ky meç pritet të jetë një nga më të mëdhenjtë e vitit dhe fituesi do të shpallet kampioni absolut i peshave të rënda.























