Frank thotë se do një Tottenham që sulmon dhe guxon
Trajneri i ri i Tottenham Hotspur, danezi Thomas Frank, ka shpalosur planet e tij për klubin londinez, duke kërkuar një stil loje më agresiv dhe më sulmues.
Në konferencën e parë për shtyp që prej marrjes së detyrës në muajin qershor, Frank ka thënë se synon të ndërtojë një ekip që reflekton moton historike të klubit: “Të guxosh është të bësh”.
“Nëse nuk je i guximshëm, nuk mund të arrish asgjë. Dua një ekip që luan me guxim, që është agresiv dhe gjithmonë kërkon të sulmojë”, ka deklaruar Frank para gazetarëve.
I ardhur nga skuadra e Brentford, ku kishte pasur sukses në katër sezonet në Premier League, Frank ka thënë se nuk e pati të lehtë ta lërë klubin e mëparshëm, por ka ndier se ishte momenti për një hap më të madh në karrierë.
“Kur Tottenham të thërret, është shumë e vështirë ta refuzosh. Jam këtu për ta sfiduar veten dhe për të ndërtuar diçka të madhe”, është shprehur tekniku danez.
Frank nuk ka harruar të përmendë edhe trajnerin e mëparshëm të Tottenham, Ange Postecoglou, të cilin e e ka cilësuar si një legjendë të klubit.
Sipas trajnerit danez, objektivi kryesor është që skuadra të jetë konkurruese në të gjitha kompeticionet, por edhe të krijojë një stil loje që i bën tifozët të ndihen krenarë.
“Te një klub i madh si Tottenham presioni është i madh, por ky është edhe motivimi im kryesor. Jam këtu për të ndërtuar diçka për të ardhmen, jo për të mbijetuar një sezon”, ka theksuar trajneri pesëdhjetë e një vjeçar.























