Vdes Ozzy Osbourne, `Princi i Errësirës` i muzikës heavy metal
BKT
Magazina

Vdes Ozzy Osbourne, `Princi i Errësirës` i muzikës heavy metal

RTKlive

Këngëtari i Black Sabbath, Ozzy Osbourne, ka ndërruar jetë në moshën 76-vjeçare, ka njoftuar familja e tij.

Në një deklaratë thuhet: "Me më shumë trishtim sesa fjalët mund ta përshkruajnë, duhet të njoftojmë se i dashuri ynë Ozzy Osbourne ka ndërruar jetë këtë mëngjes. Ai ishte me familjen dhe i rrethuar nga dashuria. Ju lutemi të respektoni privatësinë e familjes sonë në këtë kohë."

Ozzy Osbourne ishte një ikonë e muzikës, i cili u bë i njohur si anëtar themelues dhe këngëtar kryesor i Black Sabbath në vitin 1968.

Banda ishte pionere në zhanrin e muzikës heavy metal, duke shkruar këngë klasike si "Paranoid", "War Pigs" dhe "Iron Man".

Pas largimit nga Black Sabbath në vitin 1979 për shkak të tensioneve në rritje me anëtarët e tjerë, Osbourne pati një karrierë të gjatë solo, duke publikuar mbi një duzinë albumesh. Kënga e tij e parë solo, "Crazy Train", e publikuar vitin pasardhës, është një nga këngët më të famshme të tij.

Performuesi i lindur në Birmingham njihej për shfaqjet energjike dhe kontroverse në skenë, përfshirë momentin kur në një koncert në vitin 1982, ai pa dashje kafshoi kokën e një lakuriqi, duke menduar se ishte prej gome.

Në fillim të viteve 2000, Osbourne dhe familja e tij u bënë yje të televizionit reality me programin "The Osbournes".

Programi, që përfshinte edhe gruan e tij Sharon, vajzën Kelly dhe djalin Jack, tregonte jetën e tyre kaotike në Los Anxhelos.

Ozzy Osbourne, i njohur edhe si Princi i Errësirës, performoi koncertin e tij të fundit me Black Sabbath për herë të parë pas 20 vjetësh më 5 korrik.

Koncerti përfundimtar u mbajt në Villa Park në Aston, Birmingham, vendlindjen e Osbourne.

I lindur si John Michael Osbourne më 3 dhjetor 1948 në Aston, Birmingham, ai la shkollën në moshën 15 vjeç dhe punoi në punë të ndryshme përpara se të formonte disa grupe me shokun e shkollës, Geezer Butler.

Grupi performoi disa nga hitet e tyre për 40,000 persona në stadium dhe miliona përmes transmetimit live. Ata u bashkuan në skenë nga një sërë legjendash të muzikës rok, duke përfshirë Billy Corgan, Steven Tyler, Tom Morello, Ronnie Wood dhe Yungblud.


MË SHUME NGA Magazina