Shqipëria në tryezën globale të sigurisë
atsh
Zëvendësministrja e Mbrojtjes së Shqipërisë, Blerina Abrazhda mori pjesë në Senior Executive Seminar të mbajtur në George C. Marshall Center, një nga forumet më prestigjioze të sigurisë ndërkombëtare, ku morën pjesë mbi 40 vende nga e gjithë bota.
Ky seminar përfshin drejtues të lartë ushtarakë, diplomatë dhe politikëbërës me ndikim, dhe pjesëmarrja në të realizohet vetëm me nominim zyrtar nga partnerë strategjikë të SHBA-së dhe NATO-s. Zëvendësministrja Abrazhda u nominua nga Zyra e Bashkëpunimit për Mbrojtjen e SHBA-së.
Gjatë këtij seminari, Abrazhda kontribuoi në diskutime të rëndësishme mbi fragmentimin e industrisë evropiane të mbrojtjes, ndikimin e rregullave antitrust të BE-së në bashkëpunimin mbrojtës, si dhe nevojën për rritjen e ndërveprueshmërisë dhe qëndrueshmërisë industriale në NATO.
Ajo u ndal po ashtu te roli i inteligjencës ushtarake dhe kundërinteligjencës në arkitekturën e sigurisë transatlantike.
Pjesëmarrësit patën gjithashtu mundësinë të dëgjojnë drejtpërdrejt nga disa prej figurave më të rëndësishme të mbrojtjes globale, si: gjeneral Carsten Breuer, shef i Forcave të Armatosura Gjermane; gjeneral Samuel Paparo, komandant i Komandës Indo-Paqësore të SHBA; gjeneral lejtnant (në pension) Barre Seguin, drejtor i Qendrës Marshall; Radmila Shekerinska, zëvendëssekretare e përgjithshme e NATO-s; Michael Miller, drejtor i DSCA, Departamenti i Mbrojtjes së SHBA.
“Ky forum shërbeu si një platformë e rëndësishme për forcimin e marrëdhënieve me aleatët tanë dhe për ndarjen e përvojave me përfaqësues të lartë nga e gjithë Evropa dhe bota, përfshirë ekspertë të fushës së inteligjencës ushtarake dhe kundërinteligjencës”, thuhet në njoftimin për shtyp të Ministrisë së Mbrojtjes.
Ministria e Mbrojtjes së Shqipërisë, vlerëson këtë angazhim si një hap domethënës në konsolidimin e rolit të Shqipërisë në arkitekturën euroatlantike të sigurisë.























