Abdixhiku: Kushtetuesja të mos cenojë kompetencat e presidentes
BKT
Lajme

Abdixhiku: Kushtetuesja të mos cenojë kompetencat e presidentes

V.Th / RTKLive

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, deklaroi se Gjykata Kushtetuese duhet të qëndrojë brenda kuadrit të përgjegjësive kushtetuese sa i përket rolit të presidentes së vendit dhe nuk duhet të ndërhyjë në zgjerimin apo reduktimin e kompetencave të saj.

Në një deklaratë për media, Abdixhiku tha se LDK do të jetë e vëmendshme ndaj vendimit dhe interpretimit të Gjykatës Kushtetuese, duke theksuar nevojën për qartësi në situatën aktuale politike.

Abdixhiku, pas dështimit të seancës së radhës konstituive, ka deklaruar para mediave se ‘’I pari nuk po e shfrytëzon të drejtën për krijimin e shumicës dhe nuk do t’i bëj institucionet. Meqenëse nuk dëshiron, le t’i mundësohet e drejta dikujt tjetër.

“Lidhja Demokratike e Kosovës konsideron se Gjykata Kushtetuese nuk duhet të devijojë nga kapitulli i përgjegjësive sa i përket presidentes së vendit. Presidentja i ka kompetencat e përcaktuara dhe nuk shohim arsye që ato të zgjerohen apo të reduktohen,” deklaroi Abdixhiku.

Ai shtoi se kërkesa për masë të përkohshme nuk është thelbi i çështjes, por një hap procedural që shoqëron zakonisht rastet e dërguara në Kushtetuese.

“Në 99% të rasteve që dërgohen në Gjykatën Kushtetuese zakonisht kërkohet masë. Duke qenë se kemi rrjedhje të afatit dhe paqartësi ligjore, nuk e shohim këtë si të dëmshme,” u shpreh kreu i LDK-së.

Sipas tij, problemi kryesor mbetet mungesa e qartësisë për atë që ndodh pas përfundimit të afatit 30-ditor për konstituimin e Kuvendit, pasi Kushtetuta nuk parashikon zgjedhje të reja si pasojë e moskonstituimit.

“Thelbi nuk është masa, por ajo që ndodh pas 30 ditëve. Po i afrohemi fundit të afatit kushtetues dhe nuk ka qartësi se çfarë ndodh më pas. Gjykata ka sqaruar se moskonstituimi i Kuvendit nuk nënkupton automatikisht zgjedhje të reja,” tha Abdixhiku.


MË SHUME NGA Lajme