Shqipëria ftohet për Kapitullin 5, Spiropali: Kuvendi mbështet anëtarësimin
RTSH
Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Elisa Spiropali, ka përshëndetur vendimin e Bashkimit Evropian për të dhënë “dritën jeshile” Shqipërisë për të hapur grupkapitullin e fundit negociues.
Në një reagim zyrtar, Spiropali e cilësoi këtë zhvillim si një hap të rëndësishëm që përmbyll procesin e çeljes së të gjithë kapitujve të negociatave me Bashkimin Evropian.
Ajo njoftoi se Konferenca Ndërqeveritare do të mbahet së shpejti, duke zyrtarizuar këtë fazë të re në rrugëtimin europian të Shqipërisë.
“Kuvendi do të vijojë të mbështesë maksimalisht paraqitjen e Pozicionit Negociues dhe përpjekjet për zhvillimin e qëndrueshëm rural, modernizimin e bujqësisë dhe forcimin e kohezionit social e territorial,” u shpreh Spiropali.
Ajo theksoi se diplomacia parlamentare do të intensifikohet, në funksion të arritjes së objektivit strategjik “Shqipëria 2030 në BE”.
Komiteti i Përfaqësuesve të Përhershëm të Vendeve Anëtare të Bashkimit Evropian autorizoi sot Presidencën Daneze të ftojë Shqipërinë për të paraqitur Pozicionin e saj Negociues për negociatat lidhur me kapitujt që përbëjnë Grupkapitullin 5 “Burimet, Bujqësia dhe Kohezioni”.























