Gërvalla: RTK në shtator do të nisë emisionin për shqiptarët në rajon
BKT
Lajme

Gërvalla: RTK në shtator do të nisë emisionin për shqiptarët në rajon

M.M./ RTKlive

Lidhur me nismën e Këshillit Kombëtar Shqiptar të Luginës dhe atij të Malit të Zi për krijimin dhe transmetimin të një emisioni të përjavshëm televiziv, që do t’i kushtohet zhvillimeve të shqiptarëve në rajon pranë RTK-së dhe RTSH-së, drejtori i TV-RTK-së, Rilind Gërvalla, ka mbështetur kërkesën e këtyre dy organizatave simotra për të cilën ishin dakorduar për një takim në zyrat e RTK-së.

Gërvalla thotë se  situata financiare në RTK, që në vitin 2023, e kishte bërë të pamundur realizimin e një emisioni të tillë.

“Situata financiare në RTK e ka bërë të pamundur që ta realizojmë idenë për një emision të tillë duke përfshirë të gjithë shqiptarët në trojet tona, ide të cilën e kam paraqitur qysh në vitin 2023”, tha Gërvalla.

Megjithatë, drejtori i TV-RTK-së shprehet optimist se kjo nismë e propozuar nga Këshilli Kombëtar Shqiptar të Luginës dhe atij të Malit të Zi, do të jetësohet në shtator.

“Kërkoj që të takohemi (për herë të parë) në RTK javën që vjen dhe të diskutojmë të gjitha çështjet e duhura për të qenë sa më afër bashkatdhetarëve tanë, e ky propozim i bashkërenduar të realizohet në skemën e re programore që do të fillojë në shtator!”, ka shkruar Gërvalla në Facebook.

Shtohet nevoja e dukshmërisë mediatike në Luginë, Sanxhak dhe Mal të Zi

Përmes një nisme të përbashkët të Këshillit Kombëtar Shqiptar të Luginës dhe atij të Malit të Zi është dorëzuar pranë RTK-së dhe RTSH-së, kërkesa për krijimin dhe transmetimin të një emisioni të përjavshëm televiziv, që do t’i kushtohet realitetit, sfidave dhe zhvillimeve të shqiptarëve.

Kjo kërkesë bazohet në nevojën për rritjen e dukshmërisë mediatike të shqiptarëve në Luginë dhe Mal të Zi dhe nevojën e forcimit të lidhjes kulturore dhe kombëtare të shqiptarëve nga këto dy rajone me Shqipërinë dhe Kosovën.

“Besojmë se është e domosdoshme që shqiptarët nga Lugina, Sanxhaku dhe Mali i Zi të kenë  një hapësire publike në televizionet publike të Shqipërisë dhe Kosovës, ku adresohen sfida të rëndësishme si gjuha, arsimi, përfaqësimi institucional dhe identiteti kombëtar”, thuhet në noftim.

Tutje, këto dy asociacione besojnë fuqishëm se RTK dhe RTSh do të shqyrtojnë me seriozitet këtë kërkesë, “duke dëshmuar përkushtim ndaj bashkëkombësve në rajon dhe duke kontribuar në ndërtimin e një hapësire informimi e reflektimi për shqiptarët jashtë kufijve të këtyre dy shteteve”.


MË SHUME NGA Lajme