Ballkani barazon dhe kalon në raundin e tretë të Conference League
Uran Krasniqi/RTKLive
(E plotësuar, 22:37) Ballkani ka siguruar kualifikimin për në raundin e tretë të Conference League, pas një performance të qëndrueshme kundër skuadrës malteze, Floriana. Ekipi nga Suhareka avancon më tej falë fitores me rezultat të përgjithshëm 5-3.
Ndeshja e parë, e zhvilluar javën e kaluar, ishte mbyllur me fitoren 4-2 të Ballkanit, ndërsa përballja e sontme ka përfunduar me rezultat të barabartë 1-1.
Skuadra nga Malta ka kaluar e para në epërsi në minutën e tridhjetë e tetë me golin e Vella, por reagimi i skuadrës së Kosovës ka erdhur menjëherë. Në fund të pjesës së parë, sulmuesi Adetunji e ka barazuar rezultatin me një goditje të fortë nga distanca.
Në pjesën e dytë, Floriana tentoi të kthehet në lojë, por pa sukses, ndërsa Ballkani ka menaxhuar avantazhin e fituar nga ndeshja e parë.
Tashmë, skuadrën e drejtuar nga Orges Shehi e pret një sfidë e vështirë ndaj ekipit irlandez, Shamrock Rovers, në raundin e tretë të Conference League.
Floriana dhe Ballkani luajnë baras në pjesën e parë
Floriana dhe Ballkani e kanë mbyllur në mënyrë të barabartë 1-1 pjesën e parë të ndeshjes së vlefshme për raundin e dytë të kualifikimeve në Conference League.
Vendasit kanë kaluar të parët në epërsi. Në minutën e tridhjetë e tetë, Vella ka realizuar për Floriana duke befasuar skuadrën nga Suhareka.
Megjithatë, reagimi i Ballkanit nuk ka munguar. Në fundin e pjesës së parë, sulmuesi Adetunji e ka barazuar rezultatin me një goditje të fortë nga distanca.
Me dyzet e pesë minuta të mbetura për t’u luajtur, gjithçka mbetet e hapur dhe të dyja skuadrat do të kërkojnë fitoren që do t’u jepte përparësi në rrugën drejt raundit tjetër. Por Ballkani ka dy gola epërsi nga ndeshja e parë.
Ndeshja Ballkani - Floriana vjen në RTK1 nga ora 20:45
Ballkani do të përpiqet sonte që të sigurojë raundin e tretë të Conference League. Skuadra nga Suhareka do të luajë si mysafir me skuadren Floriana nga Malta.
Ndeshja transmetohet drejtpërdrejt në RTK1, nga ora 20:45.
Në përballjen e parë skuadra ish-kampione kosovare ka fituar me rezultat 4-2.
Sonte, në të njëjtin kompeticion, luan edhe Prishtina, e cila takohet me Larne nga Irlanda e Veriut. Ndeshja e parë ishte mbyllur pa gola.























