Messi jashtë fushës për një kohë të pacaktuar pas lëndimit në këmbë
BKT
Sport

Messi jashtë fushës për një kohë të pacaktuar pas lëndimit në këmbë

Uran Krasniqi/RTKLive

Lionel Messi do të mungojë për një periudhë të pacaktuar për shkak të një lëndimi të vogël muskulor në këmbën e djathtë, ka njoftuar klubi i tij, Inter Miami, të hënën përmes një deklarate zyrtare.

Tridhjetë e tetë vjeçari ka pësuar lëndimin në fillim të ndeshjes së së shtunës kundër skuadrës meksikane Necaxa, që është zhvilluar në Fort Lauderdale të Floridës, në kuadër të Kupës së Ligës mes klubeve të MLS dhe atyre meksikane.

Sipas klubit, Messi u është nënshtruar kontrolleve mjekësore për të vlerësuar shkallën e shqetësimit muskulor, i cili e ka detyruar atë të largohet nga fusha.

“Rezultatet konfirmuan një këputje të vogël muskulore në këmbën e djathtë. Kthimi i tij në fushë do të varet nga përparimi i trajtimit dhe reagimi i tij ndaj kujdesit mjekësor”, thuhet më tej në deklaratën e Inter Miami.

Lajmi për mungesën e Messit vjen si një goditje për klubin amerikan, që synon suksesin në Kupën e Ligës.