LDK pret vendim të drejtë nga Kushtetuesja për të zhbllokuar institucionet
BKT
Lajme

LDK pret vendim të drejtë nga Kushtetuesja për të zhbllokuar institucionet

M.Sh/RTKLive

Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ka reaguar të martën mbrëma, duke shprehur besimin se Gjykata Kushtetuese e Kosovës do të marrë një vendim të drejtë dhe në përputhje me mandatin e saj kushtetues, për të zgjidhur situatën e krijuar në Kuvendin e Kosovës dhe për të shmangur bllokadën institucionale.

Në një komunikatë për media, LDK-ja thekson se lënda e paraqitur para Gjykatës Kushtetuese përmban, siç thuhet, një fakt të pakontestueshëm: “partia fituese e zgjedhjeve nuk e ka përmbushur detyrimin kushtetues për të propozuar kandidatin për kryetar të Kuvendit në seancën konstituive”.

Sipas LDK-së, në vend të kësaj është insistuar 48 herë për votime jashtë rendit të ditës dhe procedurës kushtetuese, duke shkaktuar një bllokadë të qëllimshme dhe duke treguar mungesë të vullnetit dhe kapacitetit për të ushtruar përgjegjësinë që i takon si subjekt i parë.

LDK-ja argumenton se, në përputhje me vendimet e mëhershme të Kushtetueses dhe me parimet e funksionimit të sistemit parlamentar, në rast të dështimit të subjektit të parë, e drejta për të propozuar kandidatin për kryetar kuvendi duhet t’i kalojë shumicës parlamentare.

“Sistemi demokratik funksionon mbi bazën e shumicës dhe përgjegjësisë, jo të bllokadës dhe mungesës së vullnetit politik,” thuhet në reagimin e LDK-së.

Sipas këtij subjekti, Gjykata Kushtetuese ka një rol kyç në garantimin e funksionimit të institucioneve dhe në mbrojtjen e rendit demokratik të Kosovës.

LDK-ja bën thirrje për një vendim të drejtë që, siç thuhet, i hap rrugë shumicës parlamentare për të propozuar Kryetarin e Kuvendit dhe për të rikthyer normalitetin institucional.

Në përfundim, LDK-ja riafirmon përkushtimin për ruajtjen e rendit kushtetues dhe për një qeverisje që, sipas saj, pasqyron vullnetin e qytetarëve të Kosovës.

Ky reagim i LDK-së, pason pas tërheqjes së kërkesës nga presidentja Vjosa Osmani nga Gjykata Kushtetuese për masën e përkohshme të Kuvendit. Kërkesa e Osmanit vjen vetëm  tre ditë para përfundimit të masës së përkohshme që ndalon çdo lloj veprimi të deputetëve të Kuvendit të Kosovës për formimin e institucioneve të reja.


MË SHUME NGA Lajme