Profesori amerikan Anthony Adornato: Në RTK u ndjeva si në shtëpi
B.H./RTKlive
Ishte një përvojë shumë e dobishme. U prita krahëhapur dhe u ndjeva si në shtëpi në RTK. Kështu e përshkruan përvojën e tij në Kosovë profesori i asociuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Anthony Adornato, i cili për tre javë qëndroi në Prishtinë si pjesë e programit Fulbright Specialist, duke trajnuar gazetarët e Radiotelevizionit të Kosovës, në kuadër të projektit “New Trends in Communication”.
Adornato, i cili është profesor dhe udhëheqës i departamentit të gazetarisë televizive dhe digjitale në Shkollën e Komunikimeve S.I. Newhouse në Universitetin Syracuse, thekson se kjo përvojë i riktheu atij ndjenjën e pasionit për gazetarinë që kishte kur nisi karrierën si folës dhe reporter televiziv në SHBA.
Në një intervistë për ‘Newhouse School’, ai ka folur me entuziazëm për bashkëpunimin me RTK-në, duke vlerësuar profesionalizmin dhe përkushtimin e gazetarëve në këtë medium publik.
“RTK-ja ka një rol jashtëzakonisht të rëndësishëm në një shoqëri të re demokratike si Kosova. Si transmetues publik, ajo ndihmon në informimin e qytetarëve, në promovimin e transparencës dhe në forcimin e identitetit kombëtar në një shoqëri pas luftës”, ka deklaruar Adornato.
Ai shtoi se RTK gjithashtu luan rol të rëndësishëm në luftimin e dezinformimit nga aktorët e huaj.
“Rusia dhe në një farë mase Serbia, njihen për nxitjen e dezinformimit në Kosovë si pjesë e strategjive më të gjera rajonale në Ballkan. Këto narrativa shpesh synojnë të minojnë pavarësinë dhe institucionet shtetërore të Kosovës dhe të promovojnë ndjenja antidemokratike”, ka shtuar ai.
Gjatë qëndrimit në Kosovë, ai punoi nga afër me ekipet e rrjeteve sociale dhe të faqes së internetit të RTK-së, por edhe me gazetarët e dhomës së lajmeve. Ai doli në terren me ta për të mbuluar ngjarje të ndryshme, si një rast gjyqësor ndaj një politikani dhe një kronikë për ndotjen e një lumi që po dëmtonte një lagje lokale, materiale që më pas u transmetuan në edicionin qendror të lajmeve.
Krahas punës në terren, Adornato mbajti trajnime praktike për gazetari mobile dhe strategjitë e përfshirjes së audiencës në rrjete sociale. Ai thekson se ekipi i rrjeteve sociale të RTK-së i përqafoi me entuziazëm idetë e reja për përmirësimin e qasjes në Instagram dhe për krijimin e përmbajtjeve më domethënëse për ndjekësit.
Përtej përmbajtjes editoriale, Adornato ka thënë se ka parë nga afër edhe sfidat me të cilat përballen gazetarët e RTK-së: mungesë pajisjesh moderne, mungesë stafi dhe paga të ulëta. Megjithatë, ai ka vënë re një gjë të përbashkët me kolegët e tij në SHBA: dashurinë për profesionin dhe përkushtimin për të shërbyer interesit publik.
“Pavarësisht sfidave, në RTK pashë gazetarë që punojnë me pasion dhe integritet, që përpiqen çdo ditë të ofrojnë informacione të besueshme për publikun”, tha ai.























