Viktima e parë nga zjarret, urdhër evakuimi për gjashtë fshatra të Gramshit
BKT
Shqipëri

Viktima e parë nga zjarret, urdhër evakuimi për gjashtë fshatra të Gramshit

rtsh

Regjistrohet viktima e parë në Shqipëri nga zjarret që kanë përfshirë disa fshatra të Gramshit, konkretisht Kullollas, Bletëz, Menkollarë, Bulçar, Ërmenj, Harunas dhe Zenelas.

Sipas informacioneve nga Policia, bëhet me dije se një 80-vjeçar ndërroi jetë si pasojë e asfiksisë nga zjarri që dyshohet se ndezi në kopshtin e banesës së tij, e që më pas u përhap masivisht në disa fshatra të tjerë.

Në fshatin Bulçar, si pasojë e përhapjes së flakëve, mësohet se ka mbetur e izoluar në një fermë një grua së bashku me dy fëmijët e saj.

Helikopterët e emergjencave janë pozicionuar në stadiumin e Gramshit në pritje për të transportuar të plagosur drejt Tiranës.

Ministria e Mbrojtjes u ka bërë thirrje urgjente banorëve të disa fshatrave që të largohen nga banesat pasi rreziku është tepër i lartë.

“Thirrje urgjente! Për shkak të zjarreve, u bëjmë thirrje banorëve të fshatrave Kullollas, Bletëz dhe Menkollarë të largohen menjëherë nga banesat e tyre dhe të bashkëpunojnë me autoritetet për evakuimin e sigurt”, njoftoi Ministria në mesditë. Njoftimet urgjente vijuan edhe për banorët e fshatrave Skënderbegas, Ërmenj, Harunas dhe Zenelas.


MË SHUME NGA Shqipëri