Kartoni i kuq për Muriqin fundos Mallorca, Barcelona e nis me fitore
BKT
Sport

Kartoni i kuq për Muriqin fundos Mallorca, Barcelona e nis me fitore

Uran Krasniqi/RTKLive

Barcelona e ka nisur sezonin e ri në La Liga me një fitore të pastër 3-0 ndaj Mallorca, në një ndeshje ku vendasit janë ndëshkuar me dy kartonë të kuq, mes tyre edhe sulmuesi kosovar Vedat Muriqi.

Katalanasit kanë shënuar që në minutën e shtatë me Raphinha, pas një asisti nga Lamine Yamal. Pak më vonë, Ferran Torres e ka dyfishuar rezultatin, edhe pse goli ka shkaktuar polemika, pasi Mallorca në atë moment e ka pasur një lojtar të shtrirë në fushë.

Goditja më e madhe për vendasit ka ardhur në pjesën e parë. Fillimisht, Manu Morlanes është ndëshkuar me të kuq në minutën e tridhjetë e tretë, dhe vetëm gjashtë minuta më pas, edhe Muriqi është përjashtuar pas një faulli ndaj portierit García, duke e lënë Mallorca me nëntë lojtarë.

Në pjesën e dytë Barcelona ka dominuar plotësisht, duke krijuar raste të shumta me Raphinha, Dani Olmo dhe Pedrin.

Ka qenë Yamal ai që në fund e ka vulosur rezultatin 3-0. I njëjti futbollist është shpallur lojtari i ndeshjes.