35 mjete lundruese të bllokuara, 19 persona të shpëtuar në detin e Ksamilit
BKT
Shqipëri

35 mjete lundruese të bllokuara, 19 persona të shpëtuar në detin e Ksamilit

RTKlive

Policia e Shtetit në Shqipëri njofton se ka intensifikuar monitorimin detar përmes Njësisë Policore Detare dhe Policisë Kufitare, me synimin për të rritur parametrat e sigurisë në det. Gjatë javës, në zonën e Komanit në Ksamil janë kontrolluar 525 mjete lundruese, nga të cilat 35 janë bllokuar për shkelje të ndryshme.

Sipas Policisë së Shtetit, “22 jet ski, 5 skafe, 6 gomone dhe 2 varka metalike me motor uji të instaluar janë ndaluar”. Më tej, Policia bën me dije se “14 prej mjeteve lundruese janë konstatuar duke lundruar brenda perimetrit të sigurisë, duke rrezikuar jetën e pushuesve. Drejtuesit e tyre janë ndëshkuar me masë administrative prej 100.000 lekësh secili”.

Falë ndërhyrjes së menjëhershme të Policisë Kufitare dhe Njësisë Policore Detare, janë shpëtuar në det 19 shtetas, shqiptarë dhe të huaj, si dhe 6 mjete lundruese.

Ndërkohë, Policia Kufitare e Sarandës, në bashkëpunim me homologët grekë, ka bërë të mundur lokalizimin dhe bllokimin e një gomoneje të vjedhur në Greqi, jashtë zonës së perimetrit të sigurisë në plazhin e Pemës së Thatë, Ksamil-Sarandë. “Vijon puna për identifikimin dhe kapjen e autorëve”, njofton Policia.

Policia Kufitare apelon për respektimin me rigorozitet të rregullave të përdorimit të mjeteve lundruese: “Mos shkelni perimetrin e sigurisë; lundroni vetëm në zonat e lejuara dhe pajisuni me mjetet e nevojshme të shpëtimit”.

Policia e Shtetit fton qytetarët dhe pushuesit “të denoncojnë çdo shkelje të rregullave të lundrimit apo të perimetrit të sigurisë në numrin pa pagesë 112, duke i garantuar reagim të menjëhershëm dhe masa konkrete ndaj çdo shkelësi”.


MË SHUME NGA Shqipëri