Tentim kontrabande me migrantë në Jarinjë, parandalohet nga policia
V.S|RTKlive
Njësia për Ndërhyrje të Shpejtë e Policisë së Kosovës ka parandaluar kontrabandë me migrantë në pikën e kontrollit afër pikëkalimit kufitar Kosovë-Serbi, në Jarinjë.
Në autobusin e linjës Mitrovicë-Beograd, policia thotë se ka gjetur 18 shtetas të huaj të paregjistruar dhe pa të drejtë hyrjeje apo kalimi në territorin e Republikës së Kosovës.
“Gjatë kontrollit të detajuar të mjetit, është konstatuar se në katin e parë të autobusit ndodheshin 8 udhëtarë të rregullt të regjistruar në listën zyrtare, ndërsa në katin e dytë u gjetën 18 shtetas të huaj, të paregjistruar dhe pa të drejtë hyrjeje apo kalimi në territorin e Republikës së Kosovës. Hetimet e para dhe intervistat me personat përgjegjës tregojnë një përpjekje të qëllimshme për kontrabandim të migrantëve. Pronari i kompanisë, G. A., dhe shoferi B. D., kanë tentuar të shmangin përgjegjësinë, por provat dhe verifikimet tregojnë përfshirje direkte në organizimin e transportit të migrantëve në mënyrë të paligjshme”, thuhet në njoftimin e Policisë së Kosovës.
Në detajet që ka ndarë Policia e Kosovës rreth rastit thuhet se nga verifikimi i dokumenteve rezulton se 5 shtetas palestinez kishin hyrë në Kosovë me pasaporta jordaneze përmes Aeroportit të Prishtinës më 23.08.2025.
Tutje kanë treguar se 6 shtetas nga Bangladeshi posedonin viza pune, por ishin subjekt i vendimeve për largim nga Kosova.
Ndërkohë, sipas policisë, 7 shtetas egjiptian kishin hyrë në Kosovë përmes Shqipërisë dhe synonin kalimin në Serbi dhe më tej drejt vendeve të Bashkimit Evropian.
“Te dyshuarit janë intervistuar në prezencën e avokatëve mbrojtës dhe janë dërguar në mbajtje. Viktimat janë trajtuar sipas procedurave ligjore nga Drejtoria për Migrim dhe të Huaj e Policisë së Kosovës”, thuhet tutje në njoftim.























