Kuvendi dështon të konstituohet, ngec te nënkryetari serb
BKT
Lajme

Kuvendi dështon të konstituohet, ngec te nënkryetari serb

V.S|RTKlive

Seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës nuk ka arritur të përmbyllet as në përpjekjen e 58-të. Edhe pse janë zgjedhur kryetari i Kuvendit dhe katër nënkryetarë, procesi i konstituimit ka mbetur i papërfunduar për shkak të pamundësisë për të zgjedhur nënkryetarin nga komuniteti serb.

Deputetët e Kuvendit kanë zgjedhur për kryeparlamentar të ri Dimal Bashën e Lëvizjes Vetëvendosje. Ai ka marrë 73 vota pro. Për kandidaturën e tij votuan edhe deputetë nga Partia Demokratike e Kosovës. Pas tij janë zgjedhur edhe nënkryetarët e partive shqiptare dhe ai i komunitetit joshumicë joserbe. Albulena Haxhiu, Vlora Çitaku dhe Kujtim Shala u votuan në pako me shumicë votash, derisa votat e mjaftueshme i mori edhe Emilia Rexhepi nga komunitetet joshumicë.

Por, për dallim nga herët e kaluara, kësaj radhe procesi ka ngecur te zgjedhja e nënkryetarit nga komuniteti serb.

Lista Serbe ka insistuar vetëm në kandidatin Sllavko Simiq, por që nuk ka marrë votat e nevojshme. Pas refuzimit të Listës Serbe për të dhënë propozim tjetër është bërë hedhja në votim e kandidatëve përmes shortit, e ku dy kandidatë tjerë nga Lista Serbe, Verica Çeraniq dhe Stefan Kovaçeviq nuk morën votat e nevojshme të deputetëve. Kandidatja e tretë i tërhequr në short, Liljana Stefanoviq refuzoi të hidhej në votim. Më pas në short u tërhoq emri i deputetit Nenad Rashiq, që nuk është pjesë e Listës Serbe, por as ai nuk mori votat e mjaftueshme. Vetëm 55 deputetë votuan pro kandidaturës së tij. Si rrjedhojë, kryeparlamentari Dimal Basha theksoi se në frymën e bashkëpunimit e ndërpret seancën për ta vazhduar të enjten.

As Nenad Rashiq nuk merr votat për nënkryetar, seanca ndërpritet

As deputeti serb Nenad Rashiq nuk arriti t’i merrte votat e mjaftueshme të deputetëve për nënkryetar të Kuvendit nga komuniteti serb, e që emri i tij u tërhoq në short si një prej deputetëve që përfaqëson këtë komunitet aty.

Nga 95 deputetë sa ishin në sallë, për votuan vetëm 55 deputetë, 1 kundër e 17 abstenime, të pamjaftueshme që të zgjidhej nënkryetar i Kuvendit.

Si rrjedhojë, kryeparlamentari Dimal Basha ndëpreu seancën konstituive për të vazhduar të enjten.

Përpjekja e zgjedhjes së nënkryetarit serb të Kuvendit përmes shortit

Verica Çeraniq deputete e Listës Serbe ishte emri i parë që u tërhoq përmes shortit për t’u zgjedhur nënkryetare e Kuvendit nga komuniteti serb, veprim ky i bazuar në Rregulloren e Kuvendit të Kosovës, meqë Lista Serbe nuk pranoi të propozonte emër tjetër përpos Sllavko Simiqit për këtë pozitë, si i dyti i Kuvendit e i cili dështoi tri herë të merrte votat e deputetëve.

Duke u thirrur në aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese që një kandidat nuk mund të propozohet më shumë se tri herë, kryetari i ri i Kuvendit i kërkoi Listës Serbe ta propozonin një tjetër emër, por ata insistuan në emrin e deputetit Simiq.

Por, për të nuk pati asnjë votë për, 51 ishin kundër e 20 abstenime.

Sërish emri i saj u tërhoq nga kryetari i Kuvendit, Dimal Basha, edhe në tentimin e dytë ajo nuk mori votat e mjaftueshme për t’u ngjitur në pozitën e nënkryetares së Kuvendit që përfaqëson komunitetin serb.

Ndërkohë, kandidati i tretë që u tërhoq në short ishte Stefan Kovaçeviq i Listës Serbe, dhe i njëjti nuk arriti të merrte votat e mjaftueshme meqë nuk pati asnjë votë për , 48 kundër e 19 abstenime.

Liljana Stefanoviq emri i së cilës u tërhoq në short refuzoi të ishte kandidate për nënkryetare të Kuvendit, duke u eliminuar kështu nga lista.

 


MË SHUME NGA Lajme