Adem Hoxha është përjashtuar nga Grupi Parlamentar i AAK-së
Edona Podvorica/RTK
Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj ka përjashtuar deputetin Adem Hoxha nga grupi i tyre parlamentar.
Deputetja Time Kadriaj i tha RTK-së, se arsye e përjashtimit është votimi në kundërshtim me grupin parlamentar të partisë së saj.
Bëhet fjalë për votimin e Hoxhës dy ditë më parë, për kandidatin e Listës Serbe, Slavko Simiq për nënkryetar parlamenti. Sot i njëjti nuk është parë në sallën e seancave plenare.
Pas prishjes së koalicionit me Nismën Socialdemokrate, AAK kishte arritur marrëveshje me deputetin Adem Hoxha për t’iu bashkuar në formimin e grupit parlamentar në legjislaturën e nëntë.
Sipas Rregullores së Punës së Kuvendit të Kosovës, grupet parlamentare krijohen vetëm pas konstituimit të plotë të Kuvendit.
Një parti politike apo një subjekt i caktuar mund të formojë grup parlamentar nëse ka të paktën 6 deputetë, derisa AAK aktualisht ka 5 deputetë, derisa Nisma Socialdemokrate 3 deputetë.
Një subjekt politik që ka grup parlamentar ka përfaqësim në Kryesinë e Kuvendit, pastaj kohë më të madhe për diskutim në seanca plenare, të drejtën për të propozuar ligje, rezoluta dhe mocione, ulëse të garantuara në komisionet parlamentare etj.























